
Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur shantazhet dhe presionet ndaj gjyqtares Irena Gjoka. Kjo e fundit e izoloi në banesë dhe Berisha duket se ka angazhuar armatën e tij për të gërmuar sa më shumë për gjyqtaren, me shpresën se ajo do të tërhiqet.
Në fjalën e tij në dritaren e banesës mbajtur sot, Sali Berisha ka paralajmëruar se shumë shpejt shqiptarët do të marrin vesh se kush e kryeson gjykatën speciale. Berisha deklaroi se, shqiptarët do të marrin vesh se çfarë përfaqëson Maneku-Gjoka. Pra shantazh i pastër ndaj gjyqtares. Po ashtu nuk kurseu as Altin Dumanin e SPAK.
Po ashtu ai ju hakërrye analistëve dhe gazetarëve, duke thënë se ata që përdorin studiot dhe penën si hanxhar mbi opozitën janë llumi i shoqërisë njerëzore.
Berisha: Të dashur miq, sot kemi përpara suitën e lakejve, puthadorëve, të cilët nga mëngjesi gjer në darkë trumbetojnë një Shqipëri pa opozitë. Sulmojnë një Shqipëri pa opozitë.
Nga mëngjesi gjer në darkë i thurin lavde dhe himne kreut të krimit të organizuar.
Sulmojnë opozitën, përpjekjet e saj, vetëm e vetëm të realizojnë ëndrrën e Edi Ramës, të Shqipërisë pa opozitë.
Por ata të cilët predikojnë, mbrojnë tezën e Shqipërisë pa opozitë, ata që besojnë se përdorin studiot, përdorin penën si hanxhar mbi opozitën, ata janë llumi i shoqërisë njerëzore.
Ata janë turpi i njeriut, ata janë qenie të zhveshura nga çdo dinjitet, janë skllevër të krimit, të vjedhjeve.
Opozitën, asgjë nuk e mposht.
Sot ajo është më afër se kurrë, më e fortë se kurrë, më e sigurt se kurrë, më besimplotë se kurrë në fitoren e saj.
Ndaj dhe të vazhdojmë ne betejën pa kthim, mosbindjen civile pa kthim.
Ndaj kësaj diktature të bazuar në aleancën me krimin, drogën, vjedhjen e shqiptarëve; ndaj këtij regjimi që bën gjithçka për një Shqipëri pa opozitë; ndaj këtyre lakejve, puthadorëve që nga mëngjesi gjer në darkë sulmojnë opozitën në emër të Shqipërisë pa opozitë; ndaj hanxharëve të krimit në drejtësinë e turpit, drejtësinë e turpit dhe njëherë, e qenieve të shpërfytyruara, e qenieve të degraduara nga ryshfetet dhe pengmarrja.
Do merrni vesh se kush kryeson gjykatën speciale. Do merrni vesh shpejt se çfarë përfaqëson Maneku-Gjoka. Se ç’përfaqëson Dumani-Kraja. Se ç’përfaqëson Sadush e kompani.
Miqtë e mi, beteja çdo ditë bëhet më jetike.
Çdo ditë bëhet më epike.
Çdo ditë që shkon, ecim më të sigurt drejt fitores.
Ndaj dhe duke u përshëndetur ju me përzemërsi, do t’i çoj një mesazh prapë Edvin Surrelit.
Të më falin banorët e Surrelit, se me aktin e parë do i shpëtojmë edhe ata prej atij banori që nuk është vetëm e keqja e Surrelit, është e keqja e Tiranës, është e keqja e Shqipërisë, është e keqja e shqiptarëve.
Lini një Përgjigje