TAGS-AT E JAVËS

Politike24 Shkurt 2024, 18:27

Tabaku kundër Berishës, Bardhit e Bashës: Boll me kaos në Kuvend e sulme ndaj SPAK, bashkimi fillon nga baza!

Shkruar nga Pamfleti
Tabaku kundër Berishës, Bardhit e Bashës: Boll me kaos në
Jorida Tabaku

PD nuk e ka të vështirë të mbushë sheshet, ne duhet të jemi patjetër në terren dhe të japim një alternativë qeverisëse...

Jorida Tabaku duket se ka filluar të mbajë një profil shumë më ndryshe nga gjithë të tjerët në PD. Gazmet Bardhi bëri si bëri u rreshtua krah Sali Berishës, teksa Basha ka mbetur fillikat. Tabaku kërkon një mënyrë ndryshe të të bërit opozitë. Ajo nuk mbështet asnjë krah, pasi sipas saj beteja e opozitës duhet bërë në Parlament. Po ashtu ajo është kundër Berishës kur vjen puna te sulmet ndaj drejtësisë.

Duke u ndalur te protesta, Tabaku u shpreh se protesta e 20 shkurtit, ku ajo ishte pjesëmarrëse, ishte një mënyrë për të kanalizuar pakënaqësinë ndaj qeverisë.

Megjithatë sipas saj, për PD nuk ka qenë asnjëherë problem mbushja e shesheve, por demokratët duhet të jenë në terren dhe të ofrojë një alternativë qeverisëse.

Unë nuk kam munguar në asnjë protestë të opozitës apo të PD. Protesta është një mënyrë shumë e mirë për të kanalizuar atë që ndjejmë ndaj qeverisë. Shqetësimi im ka qenë se çfarë ndodh të nesërmen pas protestës. PD nuk e ka të vështirë të mbushë sheshet, ne duhet të jemi patjetër në terren dhe të japim një alternativë qeverisëse”, tha Tabaku.

Sa i përket qëndrimit të saj brenda radhëve të demokratëve, ajo u shpreh se është pjesë e grupit parlamentar të PD dhe gjithmonë ka qenë e hapur për bashkim, por ky i fundit duhet të ndodhë fillimisht në bazë.

Unë jam pjesë e grupit parlamentar të PD, por kam kërkuar një bashkim para 3 viteve, edhe para zgjedhjeve lokale. Këtë ndarjen që ka ndodhur në grupin parlamentar, ka ndodhur edhe në bazë dhe është e vështirë t’u themi këtyre qytetarëve të bashkohen pasi u bashkuam edhe ne. Unë e kam mbështetur idenë e Konfederatës si një formë bashkimi e opozitës”, tha Tabaku.

Duke u ndalur te reforma zgjedhore dhe aksioni opozitar në Parlament, Tabaku tha se sistemi elektoral sot favorizon koalicionet. Po ashtu i dha goditje Berishës, duke thënë se PD nuk e ka dhe nuk e ka pasur betejën me SPAK dhe nuk duhet ta ketë. Tabaku ka kërkuar të marrë fund kaosi në Kuvend.

Me durim po pres të flas në foltoren e Kuvendit, sepse qytetarëve u mungon të flasim se për çfarë po ndodh. Mbyllja e seancave për pak minuta dhe miratimi i ligjeve pa debat është niveli më i ulët i parlamentarizmit. Jam e sigurt që mazhoranca do bënte të njëjtën gjë që ka bërë me ligjet, por ne do vëzhgonim procesin”, u shpreh ajo mes të tjerash.

Lini një Përgjigje