Zbardhen diskutimet në grupin e PD, Ervin Salinaji, Xhelal Mziu dhe Agron Gjekmarkaj kanë kërkuar tërheqje nga skenarët bllokues...
Sali Berisha nuk pranon asnjë hap pas sa i takon aksionit opozitar. Edhe pse një ditë më parë u dhanë sinjale tërheqje nga kaosi, duket se situata do të vijojë njësoj nesër. Por me një ndryshim, divergjencat po shtohen.
Dje Ervin Salianji dhe Jorida Tabaku kërkuan të marrin fund tensionet, ndërkohë që Ferdinand Xhaferraj theu bojkotin në komisione. Mirëpo në diskutimet që janë mbajtur në mbledhje grupi, nuk ka pasur konsensus për tërheqje. Deputetë pranë Berishës kanë vendosur që të bllokojnë seancën plenare nesër. Po ashtu do të bllokojnë edhe komisionin e reformës zgjedhore të premten.
“Deputetët sot në kryefjalën e diskutimit të tyre kishin përshkallëzimin e protestës, përshkallëzimin e aksionit tonë dhe diversifikimin e tij”, ka deklaruar Flamur Noka.
Reforma zgjedhore mbetet një prej kërkesave kryesore të opozitës dhe kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, do t’i çojë sërish parlamentit përbërjen e re të këtij komisioni dhe vendosjen e Oerd Bylykbashit si bashkëkryetar të reformës.
Ndërkaq Oerd Bylykbashi, i cili ka drejtuar çdo reformë në emër të PD në dekadën e fundit, ka sqaruar se vetëm një reforme konsensuale me opozitën real mund të garantojë rregulla loje të barabarta në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Mbajtja dhe çuarja përpara e një reforme zgjedhore të njëanshme, duke e shitur atë për konsensuale dhe bipartizane, është shërbimi më i keq që mund t’u bëhet zgjedhjeve dhe shqiptarëve”, tha Bylykbashi.
Por emra si Salianji, Gjekmarkaj apo Mziu kanë dalë kundër. Mësohet se ata kanë kërkuar që të nisë tërheqja nga të tillë skenarë. Sipas tyre, duhet të bëhen debate për ligje të caktuara dhe të mos ketë vetëm bllokim.
"Jemi 4 muaj në këtë aksion. Duhet të bëjmë kujdes për këtë sjellje. Nëqoftëse ka qene entuziaste do duhet te kemi kujdes të mos na kthehet e kundërta. Mendoj se do duhet të marrim një vendim. Kështu nuk vazhdohet. Ose ta radikalizojmë ose ta kthejmë në normalitet duke i qëndruar kauzës tonë. Jemi para padrejtësive, por ne do duhet të flasim për to. Mendoj se duhet të kapërcejmë këtë situatë dhe ta marrim një vendim çfarë do bëjmë”, deklaroi Gjekmarkaj në grup.
I të njëjtit mendim u shfaq edhe deputeti Xhelal Mziu, i cili mbështeti idenë e kthimit të faqes në aksionin opozitar dhe zbritjen ne terren.
“Ne duhet të dalim nga situata. Elektorati i PD po tretet. Unë se kam problem personal. Dal deputet në çdo formë edhe i pavarur. Kjo nuk është çështje personale. Por, duhet të dalim në terren”, u shpreh Mziu.
Lini një Përgjigje