TAGS-AT E JAVËS

Politike 1 Maj 2026, 20:15

Berisha në Zagreb: Rama pengesa kryesore për integrimin e Shqipërisë në BE

Shkruar nga Pamfleti
Berisha në Zagreb: Rama pengesa kryesore për integrimin e
Sali Berisha

Kreu demokrat Sali Berisha deklaron se PD mbështet plotësisht proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Europian, por sipas tij, pengesa kryesore për realizimin e këtij projekti madhor është narkoshteti i Edi Ramës.

Nga Zagrebi, ku po merr pjesë në forumin e IDU-së, Berisha tha se deformimi i zgjedhjeve, ndikimi i drogës dhe fenomeni i narkoshtetit, mbeten pengesat kryesore për integrimin.

Ndërsa kritikoi iniciativat rajonale të ndërmarra nga kryeministri Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiç, duke i cilësuar si përpjekje për të zëvendësuar procesin e integrimit në Bashkimin Evropian me alternativa si ‘Ballkani i Hapur’,  Berisha përmendi edhe një letër të përbashkët të publikuar në median gjermane ‘Frankfurter Allgemeine’, ku, sipas tij, është kërkuar një formë ‘integrim i dorës së dytë’, që nuk ekziston në procedurat e BE-së.

Kryetari i PD-së theksoi se IDU ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e rëndësishme e Partisë Demokratike, ndërsa theksoi angazhimin e plotë të partisë që ai drejton për integrimin evropian, duke e konsideruar atë si të ardhmen më të mirë për shqiptarët.

Zoti Berisha ju keni zhvilluar disa takime, keni mbajtur dhe një fjalë në panelin qendror të këtij forumi. Cilat ishin, le të themi pikat kryesore të fjalës tuaj, të cilat diskutuat, por dhe në takimet që kishit?

Sali Berisha: Ishte një ditë intensive, në të cilën pata nderin dhe kënaqësinë të kem një takim me kryeministrin e Kroacisë zotin Plenkoviç, një mik i vërtetë i Shqipërisë, i Partisë Demokratike. Me Kroacinë, ne kemi patur dhe kemi marrëdhënie të shkëlqyera. Dy vendet tona janë vende vërtet mike. Me partinë HDZ të kryeministrit, kemi një aleancë 30-vjeçare, një bashkëpunim 30-vjeçar. Dhe kam kënaqësinë se ky bashkëpunim gjatë kësaj periudhe që drejtohet nga kryeministri Plenkoviç, bashkëpunimi midis dy partive tona ka njohur dimensione të reja dhe do njohë dimensione të reja në të ardhmen.

Diskutuam gjerësisht për bashkëpunimin e mundshëm midis dy partive, si dhe për gjendjen në Shqipëri, kushtet të cilat ndodhet opozita shqiptare, aktet represive të regjimit ndaj opozitës, por dhe ndaj qytetarëve shqiptarë. Ishte një takim në të cilin, i cili u kalua në mirëkuptim të plotë dhe ramë dakord për zgjerimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit midis dy partive tona.

Takimi me presidentin e IDU-së, ish-kryeministrin e Kanadasë, një personalitet i shquar, Stephen Harper, me të cilin më lidh një njohje e vjetër dhe një miqësi me të. IDU ka qenë një mbështetëse e madhe dhe është një mbështetëse e madhe e Partisë Demokratike. Paraqitëm situatën dhe zhvillimet në vend, shkarjet e mëdha të Shqipërisë nën regjimin e autokracisë elektorale apo diktaturës autoritare të Edi Ramës, problematikat e mëdha që krijon në Shqipëri droga dhe narkoshteti, paraliza që i bën shtetit ligjor. Diskutuam gjerësisht dhe ramë dakord për një bashkëpunim në rritje midis Partisë Demokratike dhe IDU-së në kuadrin e anëtarësisë në këtë organizatë që kemi.

Kam takuar këtu edhe miq të tjerë, siç e patë, ishim në një panel  kushtuar problemeve të zgjerimit, me personalitete, me ministra të Jashtëm të Kroacisë, me Komisionerin e Lartë të Bashkimit Evropian për Bosnjë-Hercegovinën, me ministrin e jashtëm të Maqedonisë. Në këtë panel, i cili drejtohej nga përfaqësues i lartë i Institutit Republikan, në këtë panel pata rastin të paraqes problematikat e mëdha me të cilat përballet Shqipëria sot, angazhimin e madh të Partisë Demokratike për integrimin e Shqipërisë në Evropë si të ardhmen më të mirë të shqiptarëve, por dhe pengesat jashtëzakonisht serioze, siç është shndërrimi i zgjedhjeve në farsë elektorale për shkak të pushtetit, droga dhe narkoshteti si faktor rrënues të qenies shqiptare. 

Nismat aberative të mbrapshta, rajonale të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç, me të cilat janë përpjekur me të gjitha mënyrat de facto të zëvendësojnë procesin e anëtarësimit në Bashkim, e integrimit në Bashkimin Evropian, me procese si Ballkani i hapur apo me letrën e fundit që shkruajtën pa marrë mendimin e askujt përveç të pushtetit të tyre, që shkruajtën dhe e botuan në ‘Frankfurter Allgemeine’ ku kërkuan një anëtarësim të dorës së dytë, një procedurë të re e cila nuk ekziston në Bashkimin Evropian. Pra, pati një interes shumë të madh, siç e patë, për fjalën dhe për paraqitjen që i bëra realitetit të Shqipërisë.

berisha rama be

Lini një Përgjigje