Pra deri tani me 52.3% të votave të numëruara, Edi Rama është në një pozicion të paarritshëm. Fitorja e mandatit të katërt radhazi i jep atij kontroll të plotë mbi Kuvendin, e ndoshta edhe pushtetin lokal në zgjedhjet e ardhshme.

Zgjedhjet e 11 majit 2025 nuk po japin thjesht një rezultat elektoral, po prodhojnë një tërmet politik, veçanërisht në dëm të Sali Berishës.
Me vetëm 2035 nga 5225 kuti të numëruara, trendi tani është mëse i qartë. Partia Socialiste e Edi Ramës është drejt një fitoreje historike me më shumë se 80 mandate, ndërsa opozita e udhëhequr nga Sali Berisha është rrëzuar në nivelin më të ulët që nga viti i zi 1997.
Nëse për Ramën fitorja duket si një kurorëzim i një projekti të gjatë politik që kulmon me një mandat të katërt radhazi, një arritje e padëgjuar më parë në historinë moderne të Shqipërisë, për Berishën dhe aleatët e tij kjo zgjedhje është një gropë politike, me pasoja që mund të shkojnë deri në shpërbërje ose dorëheqje nëse do të ishim një vend perëndimor.
Tirana: Mandatet rrëshqasin nga PD tek partitë e reja, PS në kuotën 19
Në Tiranë, që mbart 37 mandate dhe është gjithmonë barometri real i klimës politike, PS është shumë pranë sigurimit të 19 mandateve, një më shumë se në 2021. Ndërkohë, koalicioni PD-ASHM bie nga 17 në vetëm 14 deputetë, një zbritje dramatike në zemrën e vendit. Ajo çka bie në sy është ndarja e votës opozitare mes partive të reja.
Partia Mundësia, Nisma Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë marrin secila nga një mandat, ndërsa edhe PSD e Tom Doshit siguron një mandat të vetin në Tiranë, konfirmim i pazëvendësueshmërisë së tij në elektoratin popullor.
Fieri: Balluku kalon Ruçin, PS nga 9 shkon në 12 mandate
Në Fier, socialistët udhëhequr nga Belinda Balluku kanë kaluar çdo pritshmëri. Nga 9 mandate, PS mund të shkojë deri në 12, duke lënë shumë pas objektivat e dikurshëm të Gramoz Ruçit. Opozita, nga 6 + 1 katër vite më parë, tani është në kufijtë e 4 mandateve të mbijetesës. Ky është një nga shembujt më flagrant të rënies së besimit ndaj strukturave të vjetra opozitare.
Elbasani: PS merr dy më shumë, opozita bie në 4
Në qarkun e Elbasanit, një zonë që ka qenë përherë në vëmendje për influencat kriminale, PS shkon nga 8 në 10 mandate, ndërsa opozita bie nga 6 në vetëm 4. Kujtojmë që Elbasani ka qenë nën hijen e aktivitetit të një grupi kriminal të udhëhequr nga Suel Çela, tashmë në kërkim që sipas prokurorisë ka pasur ndikim në procese zgjedhore të mëparshme.
Lezha dhe Dibra: Bastionet blu kthehen rozë
Dibra, dikur një territor i sigurt për PD, këtë herë përmbyset nga PS, e cila merr 3 mandate nga 2 që kishte. Lezha, një tjetër bastion i djathtë, i dorëzon socialistëve 4 mandate, për herë të parë në histori duke dhënë shumicën në këtë qark.
Kandidati demokrat Xhelal Mziu është shprehur i ashpër, duke thënë se “miliona euro janë hedhur për të blerë votën”, dhe se nuk do ta pranojnë rezultatin.
Shkodra: PS kalon në 4 mandate, Tom Doshi i paprekshëm me 2
Në Shkodër, bastioni legjendar i së djathtës, PS arrin 4 mandate, ndërsa opozita bie në 5. Por ajo që mbetet konstante është PSD e Tom Doshit, që ruan 2 mandate, pavarësisht se nuk është më në aleancë me PS. Doshi, në një deklaratë për mediat, tha se ka pasur presione nga të dyja anët: “Na kanë thënë mos votoni PSD, por populli vendosi për ne. Ne e kemi mbështetur PS-në 4 vjet. Tani është koha të vendosim vetë.”
Qarqet që nuk ndryshojnë, por japin mesazhe
Në Vlorë, PS ruan 8 mandatet me 57.5% të votave. Në Korçë, mbeten 6 për PS dhe 4 për PD, me një mandat që kalon në Tiranë. Në Berat, PS mban 5 mandate, opozita vetëm 2.
Në Kukës, raporti mbetet si në 2021: 2 për PD, 1 për PS, por me një rritje domethënëse të PS në përqindje. Në Gjirokastër, PS ruan 3 mandate, PD merr 1, por me një rënie të dukshme në vota.
Në Durrës, PS mban 8 mandatet si në 2021, por me 51% të votave, një rritje që dëshmon për besim të qëndrueshëm në këtë bastion të madh urban.
Pra deri tani me 52.3% të votave të numëruara, Edi Rama është në një pozicion të paarritshëm. Fitorja e mandatit të katërt radhazi i jep atij kontroll të plotë mbi Kuvendin, e ndoshta edhe pushtetin lokal në zgjedhjet e ardhshme. Ai e nisi mëngjesin pas fitores duke shpërndarë një foto simbolike nga godina e PS-së, me nuanca mavi dhe një fjali të heshtur, por të kuptueshme: “E katërta është më shumë se një triumf, është dominim.”
Në anën tjetër, opozita jo vetëm që nuk ringrihet, por copëzohet nga brenda, ndarë ndërmjet humbësve të vjetër dhe partive të reja që kanë marrë mandate nga vota proteste. Ajo që ndodhi më 11 maj 2025, nuk është vetëm një humbje për PD dhe LSI, por një votë ndëshkuese ndaj gjithë sistemit opozitar që nuk e ripërtëriu kurrë veten.
Deri tani nuk kemi ende asnjë koment nga selia blu, ku Berisha ka shkuar sot herët në mëngjes./ Pamfleti
Lini një Përgjigje