
Ndihmoni që kombi im të votojë i lirë. Kështu iu drejtua kreu demokrat Sali Berisha anëtarëve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, që po zhvillon punimet në Porto të Portugalisë.
Berisha ka theksuar nevojën që Shqipërisë t’i kthehet institucioni i zgjedhjeve të lira, përkundër farsës elektorale, si në diktaturë. Ai i ka informuar pjesëmarrësit për zgjedhjet e 11 majit dhe shkeljet e makinerisë elektorale të partisë-shtet të Edi Ramës që prodhuan farsën zgjedhore e cila vihet në pah edhe në raportin e OSBE-ODHIR.
Ai tha se pa një qeveri teknike, shqiptarët nuk do të kenë mundësi të bëjnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Ndaj sot, në emër të opozitës shqiptare, kërkoj nga ky institucion i nderuar:
Së pari, të mbështesni raportin paraprak të ODIHR (Gjithçka që ju përmenda është e shkruar në raportin paraprak të ODIHR).
Së dyti, iu bëj thirrje institucioneve ndërkombëtare të ndjekin rekomandimet e shkruara në raportet e fundit të OSBE-ODIHR, që prej vitesh kanë mbetur të pa zbatuara për shkak të mungesës së vullnetit të narkoqeverisë”, tha Berisha.
Kreu demokrat u shpreh se Shqipëria është i parë dhe i vetmi narkoshtet në Europë.
“Europa ka njohur shumë lloje diktaturash, por kurrë më pare një narkodiktaturë.
Kjo është një diktaturë e një natyre tjetër. Edhe në këtë diktaturë të gjitha pushtetet përqendrohen në dorën e vetëm një personi, të Kryeministrit.
Por ashtu siç shkruante Samuel Huntington për këto lloj diktaturash, narkodiktatura karakterizohet nga fakti që asnjë ligj, asnjë rregull dhe asnjë parim nuk respektohet.
Edi Rama e ka kthyer Shqipërinë në një narkodiktaturë. Për këdo që është i interesuar: ai këtë e ka bërë haptas dhe pa fshehur asgjë. Në këtë kuadër, Kryeministri i Shqipërisë, pak javë para zgjedhjeve, me dekret miratoi mbjelljen e 29 mijë hektarëve kanabis, kryesisht pranë kufijve me vendet fqinj.
Ndërkohë në Amerikën Latine, janë 14 mijë shqiptarë që punojnë në kartelet e drogës, dhe disa prej tyre i drejtojnë këto kartele, si për shembull karteli i drogës Sinaloa.
Kartelet e drogës në Shqipëri janë direkt të lidhura me qeverinë dhe janë shumë të fuqishme: karteli Troplini/Poja kontrollon portin e Durrësit, portin më të madh të vendit dhe të rajonit. Karteli Çela i Elbasanit kontrollon autostradën e trafikimit të heroinës që vjen nga Lindja. Këto kartele janë shumë të fuqishme, emërojnë ministra, gjyqtarë, prokurorë, shefa policie, deputetë etj.
Kjo ishte situata me të cilën ne hymë në zgjedhjet e 11 majit.
Në këto zgjedhje, është e vërtetë që kishte kandidatë të forcave të ndryshme politike. Por nga ana tjetër, të gjitha potencialet dhe burimet e shtetit u përdorën si instrument elektoral nga partia-shtet. Nga ana tjetër, ashtu si në diktaturat komuniste, të gjitha mundësitë financiare, burime të jashtëzakonshme, u përdorën për përfitime elektorale.
E gjithë administrata publike, në shkelje të ligjit, është shndërruar në një rrjet patronazhistësh, cdo punonjes i saj duhet te kontrollojë një numër ta caktuar votuesish nëpërmjet keqpërdorimit të të dhënave personale. Çdo nëpunës civil ishte i detyruar të sillte 20 votues të tjerë që të votonin për Partinë Socialiste në pushtet.
Dita e zgjedhjeve ishte edhe më keq. Kartelet e drogës diktuan rezultatin për 28 deputetë, disa prej këtyre deputetëve ishin më të votuarit. Ata madje morën më shumë vota se vetë Kryetari i Partisë Socialiste (Kryeministri Edi Rama)”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje