TAGS-AT E JAVËS

Politike23 Shkurt 2025, 20:08

Berisha: Do rikthejmë marrëveshjen e detit me Greqinë!

Shkruar nga Pamfleti

Berisha: Do rikthejmë marrëveshjen e detit me Greqinë!

Sipas Berishës, ajo ishte një marrëveshje nga e cila përfitonin të dyja palët.

Kreu i PD-së, Sali Berisha gjatë takimit të tij me emigrantët në Athinë, ka deklaruar se do të rikthejë marrëveshjen e detit me Greqinë nëse rikthehet në pushtet. Një veprim që shkon ndesh me “idhullin” e momentit, Donald Trump, i cili kërkon të ‘aneksojë’ territore nga fqinjët dhe jo t’ua falë ato.

Sipas Berishës, ajo ishte një marrëveshje nga e cila përfitonin të dyja palët, si Shqipëria ashtu edhe Greqia. Edhe pse për këtë pakt ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e hedh poshtë atë si antikushtetues dhe në dëm të interesave kombëtare, madje Prokuroria nisi një hetim për negociatorët e paktit. 

Më tej Berisha, akuzoi Ramën se ishte ai që e prishi këtë marrëveshje, e cila u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetues në 2010.

PD po në këtë frymë, rikthyer në pushtet firmosi me autoritetet e këtij vendi, marrëveshjen e detit. Unë ju them këtu vëllezër dhe motra, ajo është marrëveshja më e mirë që ka firmosur Shqipëria ndonjëherë me fqinjët e saj. Natyrisht do të ishte absurde që të firmosej një marrëveshje që Greqia të humbiste dhe Shqipëria të humbiste.

Ja pra që ka një marrëveshje kur fitojnë të dy palët dhe nëse kishte marrëveshje që fitonin të dy palët ishte marrëveshja që bëmë ne për zonat ekonomike dhe detin. Këtë marrëveshje e përmbysi Edi Rama. Jo vetëm e përmbysi marrëveshjen, por kur gjykata e hodhi poshtë, qeveritë greke për hir të së vërtetës e qendrës së djathtë dhe të majtë respektivisht, ramë dakord që të shkonim në Hagë, sepse në Kushtetutë ligji ndërkombëtar mbizotëron dhe të merrnim sanksionim në Gjykatën e Hagës.

Çfarë bëri? Jo tha. Do të bëjmë një marrëveshje më të mirë. U tregua një sharlatan, negocioi tre vite dhe në fund i thotë ministrit të Jashtëm se, nuk e firmosim dot, se kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Ju garantoj ju se ajo marrëveshje me PD-në në pushtet do të finalizohet dhe marrëdhëniet mes Greqisë dhe Shqipërisë do të jenë shumë të mira”, tha Berisha.

-Pse u anulua marrëveshja?

Republika e Shqipërisë dhe ajo e Greqisë, nënshkruan në 27.04.2009, Marrëveshjen ‘Për delimitimin e zonave të tyre përkatëse’, të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin, në bazë të së drejtës ndërkombëtare.

Opozita e atëhershme e ankimoi këtë marrëveshje në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se vendi humbte 354.4 km katrorë sipërfaqe ujore prej saj.

Gjykata Kushtetuese me Vendimin 15, datë 15.4.2010, e shfuqizoi marrëveshjen duke e shpallur antikushtetues dhe në dëm të interesave kombëtare.

-Prokuroria nisi hetim për negociatorët e paktit

Pakti Detar me Greqinë u firmos në 2009-n nga Dora Bakojanis dhe Lulzim Basha, dy Ministrat e Jashtëm të atyre viteve në Shqipëri e Greqi.

Ndërkohë që në 2014 kur PS-ja erdhi në pushtet, Prokuroria e Përgjithshme nisi hetimin ndaj firmëtarëve të marrëveshjes për kufirin detar me Greqinë.

Hetimet u mbyllën 3 vite më vonë në 2017, me Prokurorinë e cila doli kundër vendimit të Kushtetueses duke thënë se nuk gjeti asnjë shkelje. Sipas argumentit të përdorur në vendimin e pushimit të çështjes ishte mungesa e elementëve të veprës penale nga zyrtarët që përpiluan marrëveshjen dhe ata të cilët e firmosën.

Lini një Përgjigje