
Minimalisht Kryesia duhej të propozonte 2 apo 3 emra, qoftë si kandidatë, dhe më pas të thërriste grupin parlamentar, që do të vendoste nëse do të vijohej me drejtimin nga Gazment Bardhi apo do të kishte një emër të ri...
Do të hyjmë në Kuvend, por nuk do të njohim zgjedhjet. Ishte kjo fraza që kreu i PD-së, Sali Berisha, tha në fjalën e tij në nisje të mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, por edhe pas saj, kur bëri të ditur atë se çfarë kishte vendosur forumi më i lartë vendimmarrës.
Madje Berisha pohoi se vendimi për të hyrë në Kuvend nuk ishte kundërshtuar nga asnjë anëtar i Kryesisë, çka duket se është një justifikim edhe përballë çdo zëri që shpresonte se mund të merreshin vendime më ekstreme.
Në fakt vendimet që mori Kryesia e PD-së nuk përbëjnë asnjë zhvillim të ri. Janë të njëjtat lëvizje që kjo parti ka prodhuar të paktën nga 2013 kur doli në opozitë, me përjashtim të rastit ekstrem të djegies së mandateve në 2019, kohë kur PD drejtohej de jure nga Lulzim Basha, ndërsa Sali Berisha qëndronte në prapaskenë.
PD nuk ka njohur rezultatet e zgjedhjeve sa herë që ka dalë e humbur nga proceset, çka është e njëjta gjë që po artikulohet edhe sot. Por në fund të fundit deputetët kanë hyrë në Kuvend, kanë marrë mandatet dhe më pas sjelljet parlamentare kanë qenë në varësi të situatave politike.
Kjo do të ndodhë edhe në këtë legjislaturë, opozita do të jetë në Kuvend dhe sjellja e saj do të jetë e varur nga tensionet politike. Mund të shkohet edhe në një raport të kushtëzuar mes deputetëve të saj dhe Kuvendit, por përballë do të kenë të njëjtin Kryeministër, që nuk është se ndihet keq kur opozitarët i ka në sallë apo kur ata qëndrojnë jashtë.
Berisha foli për Komisione hetimore, gjë që PD e ka pasur në traditë të paktën nga 2003 paraqitjen dhe ngritjen e komisioneve të tilla për çështje të caktuara, edhe pse në legjislaturën e fundit pati përplasje me mazhorancën, që herë ia miratonte dhe herë ia refuzonte kërkesat.
Pra në raport me Kuvendin ajo çka Kryesia e PD-së vendosi më 10 shtator është e njëjta strategji me atë që kemi parë në këto 12 vite.
Gjithashtu foli për protesta, edhe pse historikisht PD është partia që ka organizuar më shumë të tilla në 35 vitet e pluralizmit. Dhe për këtë pikë u kujdes që të pohonte se protestat ishin kërkuar nga Ervin Salianji, ish-deputeti që në korrik doli nga qelia, pas 1 viti burgim, propozim që e kishte mbështetur jo vetëm Berisha, por edhe Kryesia.

Pika më e rëndësishme në mbledhjen e sotme të Kryesisë së PD, përtej asaj që Berisha e kishte vendosur për hyrjen në Kuvend, duhej të ishte zgjedhja e Kryetarit të Grupit Parlamentar.
Minimalisht Kryesia duhej të propozonte 2 apo 3 emra, qoftë si kandidatë, dhe më pas të thërriste grupin parlamentar, që do të vendoste nëse do të vijohej me drejtimin nga Gazment Bardhi apo do të kishte një emër të ri.
Por as kjo nuk u vendos, madje edhe Berisha iu shmang.
Dhe duket se po ndodh ajo që pritej, Berisha dhe PD po ‘vëzhgojnë’ nga larg zhvillimet në kampin e mazhorancës. Po presin se kush do të jenë emrat që do të caktojë Edi Rama për të drejtuar Kuvendin e Shqipërisë dhe Grupin Parlamentar socialist. Dhe nuk është çudi që pasditen e së enjtes, apo paraditen e së premtes, Berisha të formalizojë emrin që do të drejtojë Grupin e PD-së, qoftë edhe përkohësisht.
Nën zë thuhet se Gazment Bardhi do të vijojë të mbajë të njëjtin pozicion, pra Kryetar i Grupit Parlamentar të paktën deri në pranverën e 2026-ës, ndërsa risia e vetme mund të jetë emri që PD do të propozojë për nënkryetar të Kuvendit.
Ndonëse mund të mos i bjerë asnjëherë rradha për të drejtuar ndonjë seancë plenare, ai që do të propozohet si nënkryetar i Kuvendit do të jetë edhe zyrtari më i lartë në protokollin e shtetit që do të përfaqësojë opozitën. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje