
Kryesia e PD ka vendosur në një mbledhje që nuk zgjati më shumë se 120 minuta mbi aksionin politik të kësaj force politike, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar.
E ndërsa më parë mund të kishte dyshime se demokratët mund të bojkotonin ose digjnin mandatet në Parlament, Berisha i ka dhënë fund hamendësimeve: deputetët e PD-së do të jenë në Parlament, pavarësisht se nuk njohin rezultatin e zgjedhjeve.
Por gjithashtu do të ketë një miksim skenarësh, ku nuk do të mungojnë protestat e revoltat, propozim ky që është hedhur në mbledhjen e Kryesisë nga ish-deputeti Ervin Salianji. Ky i fundit ka kërkuar që të nisin sa më shpejt protestat, propozim që është mbështetur nga Berisha dhe më pas nga Kryesia e PD-së.
Salianji ka kërkuar që protestat të nisin që në 12 shtator, ditën kur Kuvendi do të zhvillojë edhe seancën e parë plenare, por duket se koha në dispozicion për t’u organizuar është e pamjaftueshme, çka sipas raportimeve nga Kryesia, nuk ka pasur shumë entuziazëm lidhur me datën e propozuar.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Kryesisë, kreu demokrat Sali Berisha tha se kishte propozime të ndryshme mbi hapat që do ndërmerren.
I pyetur nga gazetarët, Berisha tha se është dakord me propozimin ne Ervin Salinjit për protesta dhe revoltë.
“Propozim i drejtë për protestë dhe revolta, jam 100 për qind dakord me Salianjin, Do t’i nisim sa më shpejt të jetë e mundur. Garantoj mbështetësit tanë që janë sot para një mision i të ri të madh. Misionit të shpëtimit të Shqipërisë nga diktatura autoritare”, tha Berisha.
Ndërkohë sa i takon veprimtarisë parlamentare, PD do të kërkojë që në nisje të legjislaturës së re ngritjen e Komisioneve Hetimore. Një prej tyre do të jetë ajo për çështjen McGonigal, që demokratët e drejtuar nga Sali Berisha, akuzojnë Kryeministrin Edi Rama për atë që e cilësojnë si një nga aferat më të mëdha.
Madje Berisha pretendon se ka prova dhe fakte shumë të rëndësishme që mund të ndihmojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të çuar deri në fund hetimin mbi këtë aferë.
“Dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe hetimin në SHBA nëse e kërkojnë. Ne kemi prova dhe fakte që janë të dobishme për ta”, deklaroi Berisha. /Pamfleti/
Lini një Përgjigje