TAGS-AT E JAVËS

Politike18 Dhjetor 2023, 09:27

Arsyet pse Bajram Begaj është më i pëlqyeshmi ndër politikanët

Shkruar nga Pamfleti
Arsyet pse Bajram Begaj është më i pëlqyeshmi ndër
Presidenti Bajram Begaj /

Sondazhi ‘Eurobarometri’, një përceptim real publik gati gati kirurgjik...

‘Euronews Albania’, ka disa vjet që publikon sondazhe nën siglën ‘Eurobarometri’, ku autori është një institut nga Greqia, ndër më seriozët në vendin e tij dhe në të gjithë rajonin.

Thuajse të gjitha sondazhet që ka publikuar ky organizëm kanë qenë gati, gati kirurgjike. Kështu ka krijuar një traditë të një sondimi të saktë e më me pak gabime të perceptimit publik.

Sondazhi më i fundit i Barometrit, ishte një perceptim mbi personazhet politikë që sot janë të pranishëm në skenën shqiptare, ku ishin përfshirë edhe emra të rinj, si Lapaj, Shabani, apo Arlind Qori.

Në këtë sondazh, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj renditej si personazhi publik më i pëlqyer me kuotën 52%, i ndjekur nga Edi Rama me 49%, Sali Berisha me 30 %, Lulzim Basha, e për tu mbyllur me Ilir Metën.

Ky rezultat nuk është aspak, as çudi dhe as anomali. Madje kur personazhi i qetë dhe i pazhurmshëm i Presidentit aktual të Republikës nisi të shqetësojë mbështetës mediatikë të Sali Berishës dhe Ilir Metës, u pa që ka një zhvillim në terren.

Berisha e Meta, të cilët punojnë me ekipe të rregullta sondazhesh, e panë që në fillim, një ecje krejt të ndryshme të mjekut general, ndaj dhe nisën sulmet, duke përdorur kryesisht talljet apo ironitë pa kripë me veprime apo probleme që viheshin re në protokollin apo lëvizjet e Presidencës.

Megjithatë, këtyre sulmeve, Presidenti Begaj, nuk i është përgjigjur asnjëherë, madje edhe kur e bënë virale videon e tij që e pinte kafen pa sheqer se ishte i ëmbël vetë.

Kjo trajektore e sondazhit të fundit të Barometrit tregon një zhvillim mjaft të rëndësishëm, e që nuk ka të bëjë thjesht me personin Bajram Begaj.

Njerëzit në Shqipëri, po kërkojnë vazhdimisht jo një “supermen” në politikë apo në institucionet e vendit.

Janë lodhur me katallana si Sali Berisha, apo kllounë të besdisshëm që u ka ‘mbirë në bark’ 24 orë në 7 ditë si Edi Rama.

Njerëzit duan një zyrtar të lartë që të bëjë punën e tij e të mos dalë si dac non stop në ekran. Kërkojnë një person i cili është i nderuar në profesionin e tij, e jo të mos i ketë thënë kush ‘puna e mbarë’ përpara se të futej në politikë.

Kërkojnë njerëz që flasin qetë dhe normalisht, e jo demagogë që përbetohen prej 33 vjetësh se mendojnë për njerëzit, por në realitet mendojnë vetëm për veten e familjen e tyre.

Bajram Begaj, është një person që në jetë ka qenë totalisht i realizuar. Mjek me profesion, madje i zoti, drejtues i Spitalit ushtarak prej vitesh, bëhet general, e me mbështetjen amerikane merr postin e kreut të shtabit të përgjithshëm duke u zgjedhur më pas President.

Nuk bën luftë me Edi Ramën, por as me pjesën tjetër të politikës; sepse ai nuk është Ilir Meta, Bamir Topi, apo i ndjeri Bujar Nishani, që më shumë se krerë shtetesh ishin partiakë të thekur.

Në një logjikë normale, ky perceptim popullor është edhe një model për të gjetur identikitin e njeriut që do të pasojë Edi Ramën në drejtimin e Shqipërisë.

Të jetë një njeri normal, pa “fuqi speciale”. Këtu edhe ata që aspirojnë të hyjnë në politikë, pra të rinjtë, thjesht imitojnë elitën e vjetër. Po po, e imitojnë në formë dhe përmbajtje, e hiqen si shpëtimtarë, duke bërë vetëm pantonima teatrale. Shikoni deputetët që në emisione qajnë apo kërcejnë, duke mos bërë gjë tjetër veçse duke imituar Edi Ramën kur është në hall, që kërcen nga belaja.

Fakti që gjenerali Bajram Begaj i mindi të gjithë politikanët aktivë, nuk është një rastësi, madje duket si një mundësi për një ristartim të politikës për të gjetur personazhet e saj. Pa kërkuar gjeniun, por ashtu siç ndodh në mënyrë klasike, nga katedrat e universiteteve, po ata reale, e jo ‘doktorët’ që s’kanë mbaruar ende gjimnazit./Pamfleti

sondazhi eurobarometri bajram begaj presidenti

Lini një Përgjigje