Partia e Lirisë është hedhur në aksion për ‘kokat’ e policëve që arrestuan Ilir Metën me urdhër të SPAK.
Ditën e sotme Partia e Lirisë i ka dërguar një shkresë Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, ku u kërkojnë informacion për arrestimin e Ilir Metës.
Në një deklaratë, Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi thotë se duan të kenë informacion se kush janë emrat e punonjësve të pretenduar të policisë, të cilët kryen sipas tij aktin e rëndë ndaj Ilir Metës.
Sipas Blushit, këto dy institucione duhet të kthejnë përgjigje brenda datës 7 nëntor.
Blushi thekson ndër të tjera se arrestimi i Ilir Metës është bërë në kundërshtim me ligjin. Ai thotë se nëse nuk i përcillen emrat do të ndiqet rruga e drejtësisë, duke i kallëzuar penalisht.
“Ilir Proda do të jeta ai që do të mbajë përgjegjësi penale dhe ne do ta kallëzojmë për dy vepra penale, moskallëzim krimi dhe shpërdorim detyre”, tha Blushi.

Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor, nën dyshimet për “korrupsion, pastrim parash, mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë”.
Meta kishte shërbyer në postin e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022.
Përveç postit të presidentit, Meta kishte qenë edhe kryeministër, kryetar Kuvendi dhe ministër i Jashtëm.Policia e Shtetit ka thënë se e ka zbatuar rregulloren kur e ka arrestuar ish-presidentin Meta.
Sipas këtij institucioni, kërkesa për arrestim është bërë nga SPAK-u.
Çfarë tha SPAK-u?
SPAK thekson se Meta dhe bashkëshortja e tij “në bashkëpunim mes tyre, por edhe me funksionarë të tjerë publikë, janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale”.
Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.
Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara.
Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.
Prokuroria e Posaçme thotë se Meta në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë DIA për të mbledhur borxhet e ÇEZ, edhe pse ajo nuk i përmbushte kriteret ligjore e profesionale”.
Prokuroria thotë se Meta si kryetar Kuvendi, dhe bashkëshortja e tij si deputete, në vitin 2014 kanë përdorur ndikimin e tyre për të futur në tregun e fibrave optike një kompani dhe kanë përfituar më pas përqindje nga fitimet e kompanisë.
Kryetari i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) Piro Xhixho, për të cilin është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” është thënë se ka ndikuar te drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.
Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se Meta e bashkëshortja nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë eurosh.
Hetimet janë duke vazhduar, me qëllim të mbledhjes së provave dhe për të kuptuar përfshirjen e personave tjerë në këto veprimtari.
SPAK ka falënderuar për bashkëpunimin autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros si dhe Policinë e Shtetit.
Më herët, avokati i Metës, Genc Gjokutaj, ka thënë se ish-presidenti është “rrëmbyer në mënyrë banditeske".
"Momenti është politik. Dyshja Rama-Dumani dhe me ndihmën e mashave, ish-bashkëpunëtorët e Metës, kanë formuar një vendim që ne sapo e kemi marrë. Qëndrimi i tij është krejt i qartë është i vendosur të përballet me procesin. Rrëmbyen në rrugë ish-kryeministrin, ish-presidentin”, ka thënë ai.
Meta kishte njoftuar për një konferencë për media për në orën 13:40 dhe ishte duke udhëtuar drejt selisë së partisë së tij kur është arrestuar.
Ndërkohë ditën e sotme deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi ka ankimuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje” në Apelin e Posaçëm. Megjithatë në zbatim të masës që GJKKO i ka caktuar më 21 Tetor ajo është paraqitur këtë të Hënë në orën 12:00 në SPAK. Edhe avokatët e ish-Presidentit Ilir Meta do të dorëzojnë sot ankimin për masën e “arrestit me burg”. / Pamfleti
Lini një Përgjigje