TAGS-AT E JAVËS

Politike10 Shkurt 2024, 14:44

Ardhja e Blinken shqetëson Ramën? Kryeministri nis me elozhet për Sekretarin Amerikan të Shtetit

Shkruar nga Pamfleti
Ardhja e Blinken shqetëson Ramën? Kryeministri nis me elozhet për
Edi Rama dhe Antony Blinken

Blinken deri më tani do të takojë dy njerëz, Edi Ramën dhe Altin Dumanin. Takimi me këtë të fundit padyshim është më i rëndësishmi. Ai ka lënë mënjanë presidentin dhe figura të tjera të politikës dhe do takohet kokë më kokë me kreun e SPAK.

Kryeministri Edi Rama është hedhur në sulm për vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken. Të enjten ky i fundit për herë të parë do të vijë në Tiranë dhe Rama sot ka nxituar t’i thurë elozhe të pafundme. Edhe pse vetë DASH ka njoftuar se ai vjen për të vlerësuar Shqipërinë, Rama është vënë në lëvizje të marrë vetë meritat.

Por më shumë sesa gëzim, duket një lloj shqetësimi. Blinken deri më tani do të takojë dy njerëz, Edi Ramën dhe Altin Dumanin. Takimi me këtë të fundit padyshim është më i rëndësishmi. Ai ka lënë mënjanë presidentin dhe figura të tjera të politikës dhe do takohet kokë më kokë me kreun e SPAK. Padyshim qëllimi i takimit është që kreu i SPAK të inkurajohet të mos tolerojë asnjë.

Madje ka zëra se Blinken mund të vijë dhe me emra konkrete, të cilët SHBA i do pas hekurave. Nuk duhet harruar se Rama ka një dosje të hapur në SPAK dhe ka të bëjë me amerikanët. Bëhet fjalë për dosjen “McGonigal". A do flitet për këtë dosje, do shihet, por Rama duket se nuk i ka dhe aq fort mirë punët.  

Reagimi i Ramës

Ardhja e një Sekretari të Shtetit në këto kohë kaq të trazuara për botën, si edhe zgjedhja për ta vizituar rajonin tonë duke u ndalur pikërisht në kryeqytetin tonë, kanë një vlerë të veçantë për Shqipërinë. E teksa përgatitemi për t’i uruar mirëseardhjen mikut të çmuar, dua të rinënvizoj angazhimin e plotë të Shqipërisë në partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara.

Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në rajonin tonë. Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithëve në rajon dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Europian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, si një çelës i padiskutueshëm strategjik për sigurinë, zhvillimin dhe mirëqënien e bashkësisë së popujve tanë në zemër të Europës, ku e shkuara e mbushur me tragjedi, konflikte e prapambetje, duhet t’ia lerë njëherë e mirë vendin të ardhmes së mbushur me mundësi, partneritete e zhvillim.

Ai do të gjejë një vend të përkushtuar të NATO-s, një anëtar të gatshëm të Aleancës Euro-Atlantike për të vazhduar investimet e gjithanshme për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Shqipëria është vijimësisht gati të angazhojë trupa dhe burime të reja, në kuadrin e angazhimit kolektiv të të gjitha vendeve anëtare për fuqizimin e NATO-s, në mbrojtje të vlerave të patjetërsueshme që mishërojnë vetë arsyen ekzistenciale të komunitetit tonë demokratik. Vendi ynë është në krah të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit e në kundërvënien ndaj çdo shembëlltyre të totalitarizmit dhe Sekretari i Shtetit do ta gjejë Shqipërinë të vendosur pa rezervë në mbështetjen e luftës së Ukrainës mike për lirinë dhe mbijetesën e saj.

Sekretari Blinken do të gjejë një Shqipëri mirënjohëse për miqësinë e pazëvendësueshme dhe për mbështetjen pa rezerva të Shteteve të Bashkuara në rrugën e transformimit tonë rrënjësor, e posaçërisht në këtë kohë një Shqipëri falënderuese për partneritetin e çmuar të Shteteve të Bashkuara në reformimin historik të sistemit të drejtësisë, ku qeveria që unë kam privilegjin të udhëheq mbetet vendosmërisht garante e pavarësisë së drejtësisë së re, në përpjekjen e madhe për zhbërjen e kulturës së vjetër të pandëshkueshmërisë.

Rilindja e besimit të publikut tek drejtësia, falë disa goditjeve kuptimplota antikorrupsion në nivelet më të larta, është një arritje e parë kuptimplotë në rrugën e re të shtetbërjes demokratike, ku vendosja e sundimit të barabartë të ligjit përbën kushtin themelor të ndarjes epokale me të shkuarën njëqind e kusur vjeçare të pabarazisë para ligjit në këtë vend. Për të vazhduar me sukses në këtë rrugë tejet sfiduese, asistenca e pandërprerë e Shteteve të Bashkuara në rritjen e forcimin e kapaciteteve tona është pa dyshim, një ndër kushtet e patjetërsueshme të kësaj faze vendimtare për konsolidimin pa kthim të shtetit të së drejtës dhe për rifitimin e aq shumë kohe të humbur në të kaluarën e afërt, për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Sekretari i Shtetit do të gjejë një Shqipëri në punë, me rritje të vazhdueshme ekonomike e me vullnet të prekshëm transformues në sektorin publik dhe atë privat, por edhe me vetëdijen e plotë të boshllëqeve e të mangësive ende të shumta, të cilat duhen adresuar përmes thellimit të reformave që garantojnë mirëqeverisjen në çdo nivel, fuqizojnë komunitetet vendore, promovojnë barazinë gjinore, stimulojnë grupet e interesit, përshpejtojnë modernizimin, sigurojnë zhvillimin e qëndrueshëm.

Prandaj Sekretari Blinken do të gjejë në Shqipëri edhe ftesën tonë që ai dhe pala amerikane në tërësi, t’i inkurajojnë kompanitë e vendit mik të investojnë në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, e po ashtu t’i nxisin edhe bashkëqytetarët e tyre të vizitojnë Shqipërinë turistike, e cila tanimë është ngjitur me plot meritë në ligën kryesore të turizmit mesdhetar.

Mirësevini zoti Sekretar! Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.Miqësia Juaj na nderon!

antony blinken vizita ne tirane edi rama spak drejtesia

Lini një Përgjigje