
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratave të ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj ndaj kryeministri Edi Rama. Nga arratia Ahmetaj akuzoi Ramën se po tenton ta bëjë kokë turku për të fshehur të vërteta e inceneratorëve.
Lidhur me këto deklarata, Basha shkruan se Rama duhet të japë dorëheqjen, ashtu siç do bënte sipas tij çdo kryeministër tjetër në botë.
Basha u shpreh se PS operon si një bandë kriminale, ndërsa tani kanë filluar të kërcënojnë edhe njëri-tjetrin me kode mafioze. Në fund, Basha thotë se kanë vjedhur paratë e shqiptarëve dhe për këtë duhet të japin llogari para drejtësisë.
"Është e qartë se këta operojnë si bandë kriminale dhe me kode mafioze kërcënojnë njëri-tjetrin. Njëri del në dosje me krimin, tjetri në pazare korrupsioni, tjetri kanabizon Shqipërinë.
Tani e pranojnë vetë dhe të gjithë tregojnë me gisht Edi Ramën. Kudo tjetër kryeministri do të ishte dorëhequr, por në rastin e tij sa më i madh abuzimi aq më e madhe arroganca.
Se çfarë bëjnë me njëri-tjetrin, kokat hëngshin, por çfarë shqetëson shqiptarët është se ata të gjithë bashkë nuk kanë ngrënë kumbulla e dardha, por paratë e shqiptarëve, kanë abuzuar me pasuritë e tyre. Dhe për këtë duhet të japin llogari para drejtësisë, nga i pari tek i fundit", tha Basha.
Lini një Përgjigje