
Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka hedhur shortin për caktimin e relatorit për ankimimin e bërë nga grupimi i ish kryeministrit Sali Berisha në KAS.
Goglat e shortit përcaktuan relator të kërkesës ankimore të depozituar nga Berisha, anëtarin e KAS, Ledio Braho.
Për ironi të fatit në ankimin e parë të Berishës në KAS relator ishte zgjedhur ish ministri i tij, Ilir Rusmajli, ndërsa tani Braho.
Ledio Braho ishte kandidati i PD që u mbështet fuqimisht nga grupi i Enkelejd Alibeajt për postin e Avokatit të Popullit, por që u rrëzua nga PS.
Pas hedhjes së shortit KAS vendosi të mos humbasë kohë dhe të bëjë gjatë ditës së sotme shqyrtimin paraprak të kërkesës për të vlerësuar plotësimin e kritereve formale të kësaj kërkese.
Pas ezaurimit të kësaj etape, KAS do të vendosë edhe datën e mbajtjes së seancës publike për shqyrtimin e kërkesës në themel.
Shqyrtimi i kësaj ankese bëhet imediat, pasi sot në mbrëmje skadon edhe afati i regjistrimit të koalicioneve zgjedhore.
Berisha e ankimoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një ditë pasi nuk lejoi regjistrimin e PD-së në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ndërkohë po sot KQZ hodhi shortin për caktimin e relatorit për ankimimin e bërë nga grupimi i Enkelejd Alibeajt në KAS.
Goglat zgjodhën anëtarin e KAS, Koli Bele.
Lini një Përgjigje