
Amnistia Penale ka mbetur peng i 84 votave në Kuvend. Partia Socialiste u tërhoq nga rendi i ditës për shkak se nuk kishte votat, ndërsa PD e kushtëzon me faljen e protestuesve të saj dhe kthimin në variantin e parë të këtij drafti që nuk lejon faljen e atyre që gjykohen dhe janë në procedim nga SPAK apo GJKKO.
Në një intervistë për “Report Tv”, Shpëtim Idrizi thotë se është gati të votojë këtë pr/ligj por ka dhe një rezervë. Nuk duhet të falen zyrtarët në hetim e gjykim nga SPAK e GJKKO.
“Ne çdo ditë të enjte shkojmë në parlament e na thonë që janë marrë vesh për votimin e amnistisë e aty na thonë që nuk janë marrë vesh. Gjithsekush mundohet të interferojë. Dikush për arsye personale e dikush tjetër. Duke sjellë diskutim totalisht të panevojshëm e padiskutueshëm si kjo e amnistisë së të dënuarve”, tha Idrizi.
Ai theksoi se ata nuk janë ‘shkaku’ pse aministia nuk votohet.
“Në momentin që të bien dakord këta që nuk dinë ça kërkojnë. Por nëse do të ketë tentative, do më duket e paarsyeshme që të përfitojnë ata që janë në GJKKO e SPAK. Ne kemi nevojë të gjithë ta përkrahim e ta mbështesim SPAK. Ditën që vjen në parlament ne shkojmë për ta votuar. Pastaj na thonë ranë dakord për një nen e më pas nuk ranë dakord. Nuk kemi dhënë kushte dhe jemi gatshëm ta votojmë”, u shpreh Idrizi.
Kujtojmë se PDIU bashkoi votat me PS dhe për marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
Lini një Përgjigje