Ambasadorja e BE në Shqipëri, Christiane Hohmann, ditën e sotme në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian (KKIE) i ka dhënë një goditje të fortë qeverisë Rama.
Ajo u shpreh e prerë se nëse Shqipëria do të marrë fondet nga Bashkimi Evropian duhet të plotësojë disa kushte.
Sipas saj asgjë nuk është falas.
“Nuk ka drekë falas, e për rrjedhojë nuk ka fonde falas. Nëse Shqipëria do të marrë fondet nga BE, duhet të plotësojë kushtet. Megjithatë ne jemi në rrugën e duhur, por kemi ende shumë punë për të bërë. E rëndësishme është që ju nuk jeni vetëm. Ndonjëherë duket sikur do kaloni majin, Dajtin, por nuk jeni vetëm, keni njerëz përkrahë. BE e ka besimin që ju do ia dilni. Shqipëria i ka kapacitetet për ta bërë këtë”, u shpreh ambasadorja Hohmann.
Diplomatja e lartë evropiane u ndal te reforma në drejtësi, ku tha se shteti i së drejtës në Shqipëri duhet të bëhet realitet dhe për këtë duhet të binden qytetarët shqiptarë dhe jo BE.
“U përmend reforma gjyqësore e gjerë në Shqipëri që nga 2017 dhe suksesi i reformës bëri që Shqipëria të fitonte vend në tavolinën e negociatave. Është e rëndësishme të forconi gjyqësorin më tej dhe të siguroheni që shteti i së drejtës të bëhet realitet i plotë. Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri. Duhet të ketë diçka që është identifikuese për Shqipërinë dhe i kemi parë rezultatet e para. SPAK këtë vit ka dhënë rezultate, por unë shoh raportet. Kjo është e rëndësishme. Tregon besueshmëri, ju duhet të bindni jo mua, por qytetarët, qytetarët duhet të besojnë tek sistemi. U bëj thirrje të gjithëve që të garantojnë që gjyqësiri të japë rezultate me standardet më të larta europiane dhe mos të kenë dyshime. Kjo është më e rëndësishme, kjo është dëshira që do të kisha për ju edhe e di që kuvendi ka rol për të luajtur në këtë drejtim”.
Ju rikujtojmë se ditën e sotme Komisioni Europian ka ndërprerë fondet për Shqipërinë në kuadër të programit IPARD 2, që përdoret për mbështetjen financiare të projekteve në bujqësi.
Lajmi u konfirmua edhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, që sqaron se kjo masë është marrë në kuadër të një hetimi të nisur nga Brukseli, pas akuzave për korrupsion me fondet për bujqësinë.
“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, sqaron zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.
Delegacioni pohon se hetimi është në vazhdim dhe në përfundim të tij do të shikohet nëse nevojiten masa të mëtejshme.
Lini një Përgjigje