TAGS-AT E JAVËS

Politike 3 Dhjetor 2024, 18:13

Altin Dumani sfidon Fatmir Xhafajn!

Shkruar nga Pamfleti
Altin Dumani sfidon Fatmir Xhafajn!
Xhafaj-Dumani

Pse politika nuk pranon të rrisë pragun e vlerës së korrupsionit që heton SPAK dhe të rishikojë mandatet e prokurorëve specialë?

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani duket se ka zënë ngushtë Fatmir Xhafajn. Ky i fundit ka marrë shpatën e luftës ndaj korrupsionit, duke premtuar se do të reformojë institucionet kushtetuese me qëllim për të goditur këtë fenomen. Mirëpo dje Altin Dumani, sfidoi publikisht mazhorancën, opozitën dhe vetë Fatmir Xhafën.

Altin Dumani ishte dje në sallën e Kuvendit në një aktivitet të zhvilluar nga KiE për luftën ndaj korrupsionit dhe ai kërkoi dy gjëra nga politika:

-Të rrisë pragun e vlerës së korrupsionit që ka për kompetencë SPAK. Aktualisht në çdo rast që vërtetohet se kemi korrupsion mbi 500 euro, ky rast hetohet nga SPAK. Dumani kërkoi që kjo shifër të rritet akoma dhe më shumë, me qëllim që ata të mos harxhojnë kohë me drejtorë, por të godasin ministra, deputetë, kryetarë bashkie, etj., që vjedhin miliona me tenderë.  

-Kërkesa e dytë e tij, është që prokurorët e SPAK të kenë të drejtë kandimi për një mandat të dytë. Me ligjin aktual, prokurorët kanë mandat 9 vjeçar dhe më pas kthehen ose atje ku kanë qenë, ose prokurorë Apeli. Por Dumani ka kërkuar që atyre t'u jepet e drejta për të garuar për një mandat të dytë.

Këto dy kërkesa janë dhe sfida kryesore për politikën. Dumani i ka dorëzuar shkresërisht te Komisoni i Xhafajt. Nëse nuk pranohen, atëherë do të tregohet se Komisioni i Xhafajt nuk u ngrit për të luftuar korrupsionin, por për të goditur SPAK.

Po ashtu, do kuptojmë që politika mezi e pret mbarimin e mandatit për prokurorët aktualë dhe pas 4 vitesh (SPAK ka 5 vite në funksion) do kemi një luftë të madhe për të kapur prokurorët e rinj.

Dumani dje ja hodhi dorashkën Xhafajt, tani do të shohim hapin e politikës. Askush nuk foli. Si mazhoranca dhe opozita heshtin për këtë kërkesë. Po ashtu dhe vetë Xhafaj. Kjo pasi të gjithë janë të trembur dhe kanë frikë ta forcojnë më shumë SPAK. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje