Deputetja Flutura Açka deklaroi se baza e Partisë Demokratike nuk është e bashkuar, teksa theksoi se është e copëzuar. Sipas saj, rikthimi i Berishës nuk dha rezultat.
“Partia Demokratike nuk është e bashkuar, flas për bazën e PD-së. Është shumë e copëzuar. Problemi është ndarja që ka ndodhur, që të bashkosh një gjë, duhet të shkosh te burimi i ndarjes. Megjithë epizmin e rikthimit të Sali Berishës, kjo nuk dha rezultat në bazën e PD-së.
Njerëzit janë çberishizuar, Berisha duhet të shohë situatën me qetësi, të bëjë kalkulime të qarta”, tha Açka.
Deputetja u shpreh se tashmë njerëzit janë ndarë në skalionet e tyre dhe duket e pamundur, nuk ka një dritë jeshile, që mund të arrihet një bashkim real. Açka theksoi se ka një marrëveshje nën tavolinë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës, që synon të shkatërrojë opozitën.
“Shpresoj për një reformim të opozitës shqiptare, kam shpresuar që do të reformohej. Mendoj se ka një marrëveshje nën tavolinë me Edi Ramën, i cili synon të shkatërrojë opozitën. Për shkak të pazareve iu dha Edi Ramës mundësia që të shkojë në zgjedhje me 12 mandate të fituara në tavolinë dhe ky është një faj, nuk është gabim. Ata që e kanë bërë këtë faj duhet të largohen”, tha Açka për ”News24”.
Lini një Përgjigje