Ish-kreu i PD, Lulzim Basha i është përgjigjur Sali Berishës, pasi ky i fundit i faturoi skandalin me lobimet ruse. Për akuzat për financimin rus dhe cili ishte burimi i shifrës 500 mijë euro, Basha tha: “Të pyesë listën e të ftuarve në festat e tij familjare”, duke iu referuar Berishës.
Basha e ka cilësuar Sali Berishën si përgjegjës për përçarjen e PD. Ndërkohë sqaroi se nuk do të mungojë në fushatën e PD për zgjedhjet e 14 majit.
"Patjetër që do të jem pjesë e fushatës në të gjithë Shqipërinë", tha Basha.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka dalë sot para mediave së bashku me kryetaren e grupit të komisionit auditues Ledina Mandia. Kjo e fundit tha se nga PD nuk është marrë asnjë para ruse. Nga ana tjetër ata kanë kërkuar të hetohet Basha, teksa kanë shtuar se ai ka refuzuar tu përgjigjet pyetjeve të tyre.
Sali Berisha në një deklaratë për mediat pretendoi se Edi Rama e ka shpëtuar Lulzim Bashën nga 6 vite burg dhe e shndërroi në peng që ta përdorte kundër opozitës.
“Lulzim Basha është hetuar për larje parash. Sepse Lulzim Bashën e ka denoncuar Nick Muzin. Është Nick Muzin që ka deklaruar në SHBA se 720 mijë dollarët i ka nga PD. Rama ka marrë këtë deklaratë nga prokuroria e vendit dhe ka filluar hetimin. Hetimi ka zbuluar se 500 mijë nuk kanë asnjë lidhje me financimin e PD-së. Atëherë, prokuroria e ka akuzuar Lulzim Bashën me të drejtë për larje parash. Çdo shumë që zbulohet pa origjinën e saj, automatikisht në ligj kualifikohet larje parash. Edi Rama përdori presionin e jashtëzakonshëm. Dosja u mbajt deri në ditën e 30 nga një prokuror. Ai prokuror, ditën e 30-të dha dorëheqjen. Ditën e 31- kishte skaduar afati për dërgimin e saj në Gjykatë të Lartë. Ky është kurthi që bëri Edi Rama. Edi Rama me akuzën për larjen e parave e shpëtoi Lulzim Bashën nga 6 vite burg dhe e shndërroi në një peng të tij që e përdor për çdo gjë kundër opozitës dhe kundër pluralizmit në Shqipëri”, tha Berisha.
Lini një Përgjigje