
Juristi Kreshnik Spahiu duke folur sa i takon çështjes së Arben Ahmetajt, tha se deputeti aktualisht nuk mund të arrestohet, pasi Kushtetuta i garanton atij një lloj imuniteti.
I ftuar në emisionin “Now” në “Euroenws Albania”, Spahiu u shpreh se SPAK ka nevojë për autorizimin e Kuvendit për masën e arrestit me burg, teksa shtoi se nuk do ishte rastësi që kjo të ndodhte gjatë kohës që Rama është jashtë vendit.
“Arben Ahmetaj nuk mund të arrestohet sot se Kushtetuta i garanton atij një lloj imuniteti në të cilën SPAK duhet të bëjë kërkesën për të marrë autorizimin e Kuvendit për masën e arrestit me burg. Nuk e quaj rastësi nëse kërkesa për arrestimin e Ahmetajt të bëhet kur Rama është jashtë vendit. Mendoj se kuvendi duhet të vendosë kur PS të jetë e plotë aty, pasi e ka detyrimin për ta bërë këtë”, tha Spahiu.
Spahiu tha gjithashtu se për shkak të kalimit të kohës së ushtrimit të detyrës, provat që e implikojnë Arben Ahmetajn janë zbehur. Sipas tij, ekziston mundësia që akuzat të rrudhën në pastrim parash dhe korrupsion pasiv.
“Në bindjen time, besoj se në rastin e Ahmetajt edhe për shkak të kalimit të kohës të marrëdhënieve administrative që ka kryer provat janë zbehur. Ahmetaj ka deklaruar se nuk ka hedhur firmë për inceneratorët. Në fund mund të ketë një zbehje të akuzave në pastrim parash dhe korrupsion pasiv”, tha Spahiu.
Lini një Përgjigje