TAGS-AT E JAVËS

Politike30 Prill 2023, 12:57

Akti i parë në Mal të Zi për tërheqjen e njohjes së Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Akti i parë në Mal të Zi për tërheqjen e njohjes
Proserbët në Mal të Zi

Mali i Zi hyn në një javë deçizive ku Kosova do të jetë në krye të axhendës politike në vend. Ndërsa Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç janë në Bruksel për të arritur një marrëveshje për Asocacionit; në Podgoricë, kryeministri shqiptar Dritan Abazoviç, pritet të kryqëzohet për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës në Këshillin e Europës.

Ish-ministri i Jashtëm i Sllobodan Milosheviçit, Miodrag Lekiç, kreu i komisionit të jashtëm të Parlamentit të Malit të Zi, ka thirrur kryeministrin, në një seancë që po konsiderohet si një manovër e Vuçiçit për të turbulluar ujrat në rajon.

Ndërkaq, komuna e Zetës, një territor me dalje në det, e cila dominohet nga partia proserbe Narodna Demokratska Stranka e Milan Knezheviçit, ka miratuar një rezolutë, ku i kërkon qeverisë së Malit të Zi tërheqjen e njohjes së Kosovës.

Me një gjuhë antishqiptare, dy nga aleatët politikë të presidentit të sapozgjedhur, Jakov Milatoviç, kanë ngritur zërin kundër Kosovës, duke rritur shqetësimin se kjo axhendë do të përdoret si refren në fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Në rezolutën e tyre, anëtarët e këshillit komunal të Zetës, bëjnë të ditur se shumica e qytetarëve të Malit të Zi janë kundër njohjes së Kosovës dhe përfshirjes së saj në organizatat ndërkombëtare.

Ata akuzojnë qeveritë e Zdravko Krivokapiçit dhe Dritan Abazoviçit se kanë vijuar politikën e jashtme të Milo Gjukanoviçit.

“Me këtë Deklaratë ata duan të shprehin mospajtimin e tyre me politikën e qeverisë së pakicës të Dritan Abazoviçit, por edhe të të gjitha qeverive të mëparshme, të cilat në kundërshtim me vullnetin e shumicës së qytetarëve, zbatuan dhe vazhdojnë të zbatojnë një politikë të jashtme tradhtare të drejtuar kundër interesave të Malit të Zi dhe të vendit më të afërt me ne në rajonin e Serbisë”.

Komuna e Zetës, ka kërkuar që edhe komunat e tjera të Malit të Zi, ku partitë proserbe kanë tashmë shumicën që prej verës së 2020-s, të mbajnë deklarata ku të kërkojnë tërheqjen e pavarësisë së Kosovës.

Në seancën e fundit të Këshillit të Evropës, Mali i Zi votoi pro iniciativës për pranimin e Kosovës në atë organizatë ndërkombëtare, gjë që shkaktoi kritika nga partitë pro-serbe në këtë vend. Mali i Zi e njohu Kosovën në vitin 2008.

Siç bën të ditur gazeta e Podgoricës, ‘Vijesti’, Kryetari i Komisionit të jashtëm të parlamentit të Malit të Zi, Miodrag Lekiç, ka thirrur sot në seancë të posaçme kryeministrin Abazoviç. Ai tha se vendimi i Qeverisë për të mbështetur pranimin e Kosovës në KiE, u bë në mënyrë sekrete dhe paraqet “kontribut të ri të papërgjegjshmërisë dhe joseriozitetit së shtetit. Prandaj Komisioni do të kërkojë raport për arsyet dhe mënyrën e marrjes së këtij vendimi, me sa duket të miratuar në mënyrë parashtetërore dhe paradiplomatike, por sigurisht jo demokratike dhe jo transparente”./Pamfleti

mali i zi tërheqja e njohjes së kosovës akti i parë

Lini një Përgjigje