PL ka mbetur jashtë organizmit për protestën e 20 shkurtit....
Afrimi i Gazment Bardhit me Sali Berishën duket se ka krijuar një mur të madh ndarës me Partinë e Lirisë. Meta ka qenë kritik ndaj grupit të Bardhit dhe nuk e ka pasur problem ta thotë këtë. Por ky takim duket se e ka nxjerrë jashtë loje Metën sa i takon pasjes së një opozite të bashkuar.
PL ka mbetur jashtë organizmit për protestën e 20 shkurtit. Deri dje, Meta para çdo proteste takohej me Berishën, por mbështetësit e Doktorit nuk kanë pasur asnjë takim zyrtar me kreun e PL apo deputetë të kësaj force.
Vetë Ilir Meta foli sot si për bashkimin e PD ashtu dhe për protestën. Ky i fundit u pyet drejtpërdrejt nëse do të jetë në shesh më 20 shkurt, por nuk dha një përgjigje. Ai tha se PL mbështet protestën, por e la të hapur mundësinë që mund të mos jetë pjesë e saj.
“Partia e Lirisë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë në mbështetje të të gjitha protestave qytetare, por edhe politike, në mbrojtje të demokracisë, në mbrojtje të pluralizmit politik, të cilat kërkojnë t’i japin zë të gjithë shqiptarëve të cilët po vuajnë pasojat e kësaj narko-diktature”, tha Meta.
Ai u ndal dhe te bashkimi i Bardhit me Berishën. Meta sigurisht mbështeti çdo bashkim të PD, por u kujdes të specifikonte se duhet të jetë bashkim i sinqertë. Mos vallë kreu i PL ka dyshime?
“Unë mendoj se çdo bashkim i sinqertë forcash, energjish, potencialesh të fjetura deri më tani, patjetër që është shumë pozitiv, sepse nuk jemi në një situatë normale. Jemi praktikisht në një narko-diktaturë dhe duhet të ketë një vijë të qartë demarkacioni me narko-diktaturën. Kështu që çdo diferencë, çdo dallim, duhet lënë mënjanë në mënyrë që të arrihet një sinergji dhe një kohezion sa më përfshirës, jo vetëm brenda opozitës, por brenda gjithë shoqërisë, e cila po vuan nga kjo narko-diktaturë, vendimet e së cilës kanë sjellë këtë bilanc katastrofik të shpopullimit të vendit, të rritjes së varfërisë dhe të shpërthimit galopant të korrupsionit dhe padyshim, të rritjes së frikshme të çmimeve dhe të inflacionit”, tha ai.
Mbet të shihet se çfarë do të bëjë Meta më 20 shkurt, pasi aty do të shihet nëse kemi krisjen e madhe. Pak ditë më parë, Meta e dha sinjalin se nuk e mbështet Berishën kryeministër. Ai foli për një emër të gjithëpranuar. /Pamfleti
Lini një Përgjigje