TAGS-AT E JAVËS

Politike31 Mars 2026, 21:12

A po shkojnë Rama dhe Berisha drejt pazarit të radhës për ndryshimin e Kushtetutës?

Shkruar nga Pamfleti
A po shkojnë Rama dhe Berisha drejt pazarit të radhës për
Rama-Berisha

Nga sinjalet në tryezën e reformës zgjedhore te hija e marrëveshjes Rama-Berisha e vitit 2008, politika rikthen skenarin që prodhoi sistemin që mban peng pluralizmin sot...

Dakordësia për financimin e partive nuk mbeti një episod teknik. Ajo hapi një derë më të madhe. Në tryezë tashmë është vetë Kushtetuta.

Sot në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri hodhën piketat e para të dakordësisë për reformën elektorale, por secili me kushtet e veta.

Është sistem toksik për partitë politike, pluralizmin në parlament dhe demokracinë. Të gjitha gjërat që janë bërë janë arnime, është një sistem i poshtër që duhet hequr, sistem koalicioni që i lidh duart partive për të mos dalë në fletën e votimit, vetëm e vetëm që Edi Rama të rrijë në pushtet”, tha Oerd Bylykbashi.

Damian Gjiknuri shprehu dakordësi, por kërkoi që në Kushtetutë të ndërhyhet edhe për uljen e numrit të deputetëve.

Ne s’kemi mandat si komision të ndryshojmë Kushtetutën, këtë mund ta bëjmë vetëm nëse do të ketë dakordësi politike. Jam dakord që këto çështje t’i përmbledhim dhe t’i diskutojmë qoftë në këtë komision, qoftë dhe në një komision të karakterit të reformës kushtetuese”, tha ai.

Por për demokratët kjo pjesë nuk është me shumë rëndësi: “Unë e shtrova çështjen parimore, jo populizmi. Reduktimi i numrit të mandateve, siç propozohet, zhduk partitë e vogla dhe dua ta sqaroj, nuk është çështje për histori komisionesh me mandat kushtetues”.

Por këtu fillon problemi real. Kur të dyja palët pranojnë se ndryshimi i Kushtetutës varet nga “dakordësia politike”, atëherë procesi del nga komisionet dhe hyn në territorin e pazarit.

Ky nuk është një territor i panjohur. Në prill 2008, Edi Rama dhe Sali Berisha votuan bashkë ndryshimet kushtetuese që prodhuan sistemin proporcional rajonal. Ai sistem është baza e realitetit të sotëm, ku PS dhe PD dominojnë skenën dhe partitë e tjera mbeten jashtë loje.

Pra, kërkesa e sotme për ndryshim nuk bie në vakum. Ajo prek drejtpërdrejt një produkt politik të ndërtuar nga vetë PS dhe PD.

Në këtë fazë, socialistët nuk po e kufizojnë diskutimin vetëm te sistemi. Ata po e zgjerojnë paketën. Gjiknuri hapi mundësinë që të diskutohet edhe ulja e numrit të deputetëve. Kjo e kthen çështjen nga një ndërhyrje e pjesshme në një rishikim të plotë kushtetues.

Paralelisht, PS po tenton të fusë në lojë referendumin. Ky është një instrument konkret, jo retorik. Ai tregon se mazhoranca kërkon ta shtyjë procesin përpara dhe të krijojë një rrugë alternative nëse negociatat politike ngecin.

Këto lëvizje vendosen në një vijë të vetme: PD kërkon ndryshimin e sistemit që e bashkëkrijoi në 2008; PS pranon diskutimin, por kërkon të zgjerojë ndërhyrjen dhe të kontrollojë procesin. Sinjali është dhënë. Kushtetuta nuk është më tabu.

Pyetja që mbetet është nëse kjo përplasje do të përfundojë si në vitin 2008, me një marrëveshje mes dy partive të mëdha që rishkruajnë rregullat e lojës sipas interesit të tyre.

Përgjigjja nuk do të vijë nga deklaratat publike. Ajo do të dalë nga negociatat që zhvillohen jashtë tryezës formale, aty ku në politikën shqiptare janë marrë gjithmonë vendimet reale. /Pamfleti

 

rama berisha

2 Komente

  1. B
    BP

    Berishës i garantohet familja dhe pasuria e këlyshëve, Rama vazhdon të sundojë pa problem.

    1. P
      Populli dele

      Po erdhi propozimi nga dyshja Rama-Berisha eshte qofte e helmuar...mund ta pyes kush Berishen se per cfare aresye ne vitin 2008 kur Berisha kishte gjithcka cfare e shtyu te aprovonte kete ligj elektoral qe Rama pasi i shtoi edhe reformen territoriale e ktheu ne instrumentin perfekt per te fituar cdo zgjedhje???

      Lini një Përgjigje