Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe kancelari gjerman Olaf Scholz përsëritën qëndrimin e Bashkimit Evropian, duke dënuar sulmin ndaj policisë së Kosovës në Banjskë më 24 shtator.
E pyetur nga mediat lidhur me qëndrimin që do të mbajë BE ndaj agresionit serb në Veri, Von der Leyen theksoi se BE ka kërkuar një hetim të hollësishëm lidhur me atë që ndodhi në 24 shtator dhe vetëm pas rezultatit të këtyre hetimeve do dalë me një vendim për Serbinë.
"Ne e dënojmë sulmin e 24 shtatorit. Për momentin ne jemi duke vlerësuar faktet. Duhet të presim përfundimin e hetimeve dhe në bazë të saj do të vendosim cili do të jetë hapi i radhës", tha Von der Leyen.
Ndërkohë, të njëjtën gjë theksoi edhe kancelari gjerman teksa shtoi se sulmi ndaj forcave të policisë së Kosovës është diçka që BE dhe Gjermania nuk e pranojnë.
"Thjesht do të thoja shkurt që ne e dënojmë vërtetë sulmin që ndodhi në Kosovë. Është diçka që shumë nuk do e pranojnë kurrë, është diçka shumë e qartë që BE dhe të gjitha vendet dhe Gjermania janë shumë të qartë në atë pikë. Gjithashtu ne kërkojmë që të ketë një bashkëpunim midis vendeve që suportojnë këto hetime. Është shumë e rëndësishme, jemi duke bashkëpunuar me autoritetet e Kosovës dhe kjo që po ndodh është diçka shumë e mirë. Mendoj të shtoj se situata e zhvillimit të paqes në Ballkanin Perëndimor ka nevojë për mirëkuptimin e të gjitha vendeve dhe do të funksionojnë nëse nuk janë të ndjekura nga e shkuara por shikojnë drejt së ardhmes. Kjo është arsyeja që ne suportojmë Maqedoninë e Veriut dhe Bulgarinë. Kjo është çështja që ne jemi duke punuar. Në çështjen Kosovë- Serbi ka shumë pika që duhet të arrihen", tha Scholz.
Lini një Përgjigje