
Partia Socialiste do të mbledhë të dielën Asamblenë Kombëtare.
Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Bledi Çuçi njoftoi se mbledhja do të mbahet të dielën e 11 shkurtit ora 10:30.
“Të nderuar anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS!
Në zbatim të vendimit të Kongresit për raportimin e Detyrave të lëna në kuadër të Rienergjizimit të Partisë, me kërkesën e Kryetarit të PS, ju njoftojmë se ditën e dielë (11.02.2024), ora 10:30, tek kompleksi "Xibraku" do të zhvillohet mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS.
Pjesëmarrja në mbledhje është e detyrueshme dhe mungesat janë të pajustifikuara”, thuhet në njoftimin që u është shpërndarë anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të PS-së.
Mbledhja vjen në një moment kur tensionet në parlament dhe me opozitën janë shtuar ndërkohë që kjo e fundit ka nisur edhe protestat dhe ka njoftuar përshkallëzim të aksionit.
Mirëpo skena politike në vend nuk po gjen qetësi as brenda mazhorancës veçanërisht pas një interviste të dhënë nga ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj, ku përmend një pjesë të mirë të ministrave dhe ish-ministrave, zyrtarë e deputetë të Partisë Socialiste, si të përfshirë në afera e skenare të ndryshme brenda PS-së.
Kujtojmë se në Asamblenë Kombëtare që u mbajt në korrik të vitit 2023, pati një rrokadë ku Rama shkarkoi Sekretarin e Përgjithshëm, asokohe Damian Gjiknuri, dhe të gjithë sekretariatin e partisë.
Lini një Përgjigje