TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Maj 2025, 10:06

A do të anëtarësohet Shqipëria në BE në 2030? Antonio Costa ‘fshin’ datën: Duhen reforma

Shkruar nga Pamfleti

A do të anëtarësohet Shqipëria në BE në 2030?

Pavarësisht vlerësimeve të kaluara që synonin vitin 2030 për pranimet e reja, Costa refuzoi të caktonte një datë përfundimtare...

Edi Rama e bazoi fushatën në zgjedhjet e 11 majit në premtimin për të anëtarësuar vendin në Bashkimin Europian brenda 2030. Kjo ishte e vetmja pikë që Rama e përdori nga dita e parë dhe deri në fund, duke kërkuar votat e shqiptarëve, për të pasur një mazhorancë në Kuvend që do të tregonte vokacionin europian.

Në përfundim të zgjedhjeve, Rama arriti të marrë 83 mandate, ndërsa me shumicën që do të ketë në Parlamentin e ri, bashkë me deputetët e PSD të Tom Doshit që mund rreshtohen në krah të tij, ai siguron një shumicë që mund të miratojë edhe ligje të veccanta.

Por a do të mundet që të mbajë premtimin për të anëtarësuar Shqipërinë në BE Brenda 2030?

Antonio Costa, President i Këshillit Europian, në një intervistë për Euronews, thotë se Shqipëria dhe Mali i Zi janë anëtarët më të mundshëm të ardhshëm të BE-së.

Komentet e Kostës vijnë mes shqetësimeve në rritje në Bruksel mbi konkurrencën gjeopolitike në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Ky konflikt ka përshpejtuar bisedimet e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë, duke shkaktuar frikë se shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të lihen mënjanë.

Costa nisi një turne rajonal në Serbi dhe do të vizitojë gjithashtu Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën, të ndjekura nga Maqedonia e Veriut dhe do të përfundojë në Shqipëri, ku ai do të marrë pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Tiranë.

“Pushtimi i Ukrainës nga Rusia ka përshpejtuar procesin e pranimit për Ukrainën dhe Moldavinë, kështu që nuk është e drejtë që vendet e Ballkanit Perëndimor të anashkalohen”, tha Costa për Euronews. Sipas tij, “kjo do t’i shtyjë ato të ecin më shpejt me reformat.”

Serbia, një lojtar qendror në rajon, mbetet një shqetësim i veçantë. Prania e Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në përkujtimet e Ditës së Fitores më 9 maj të Rusisë në Moskë - së bashku me Kryeministrin e Sllovakisë, Robert Fico - ndërpreu një bojkot në të gjithë BE-në dhe nxori në pah politikën e jashtme të paqartë të vendit.

Serbia gjithashtu ka refuzuar t'i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, duke përmendur lidhjet historike që datojnë që nga çlirimi sovjetik në vitin 1945.

Megjithatë, Costa minimizoi simbolikën e vizitës së Vuçiçit në Moskë.

“Më 9 maj në Moskë, festuam një ngjarje të së kaluarës. E ardhmja e Serbisë është në Evropë”, tha ai.

Pavarësisht vlerësimeve të kaluara që synonin vitin 2030 për pranimet e reja, Costa refuzoi të caktonte një datë përfundimtare.

“Nuk kam një datë të caktuar. Pse 2030? Dhe pse jo më parë? Anëtarësimi është një proces i bazuar në meritë”, tha ai.

Në vijim, Corta u shpreh se nëse vendet i kryejnë reformat, ato mund të bashkohen edhe para vitit 2030. Shqipëria dhe Mali i Zi janë qartësisht më të përparuar se vendet e tjera.”

Pavarësisht kësaj, shumë qytetarë në rajon, veçanërisht në Serbi, janë bërë skeptikë ndaj qëllimeve të BE-së, të frustruar nga vitet e bisedimeve të bllokuara të pranimit. Costa e pranoi këtë erozion të besimit, por përsëriti vizionin themelues të Unionit.

“Gjëja më e rëndësishme është të kuptojmë kuptimin e Bashkimit Evropian”, tha ai, duke shtuar “ajo që e ndërtoi vërtet BE-në ishte vullneti për të kapërcyer plagët e histories”. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje