TAGS-AT E JAVËS

Politike14 Maj 2025, 09:51

Kavaja: Loja e dyfishtë e Ramës dhe Berishës me Elvis Roshin

Shkruar nga Pamfleti

 Kavaja: Loja e dyfishtë e Ramës dhe Berishës me Elvis Roshin

Në Kavajë nuk kishte zgjedhje, kishte marrëveshje. Një votim i dirigjuar nga marrëveshjet e natës; ku Rama heshti, Berisha firmosi, dhe Rroshi ndau votat si garanci për pazarin. Zgjedhja nuk i takoi qytetarëve, por mafies që sundon bregdetin…

Rezultati i zgjedhjeve në Kavajë është një faqe e zezë në historinë elektorale të Shqipërisë: një pazar i pistë; ku mafiozët që dolën nga dera, u rikthyen nga dritarja, Rama uli kokën, Berisha mbylli gojën dhe Rroshi hodhi firmën. Vota nuk foli. Vota u firmos në errësirë.

Diferenca prej afro tre mijë votash në favor të PD në një qytet ku Partia Socialiste s’e kishte parë humbjen që nga koha e Rroshit, nuk është një lajm për t’u festuar, është një alarm për të kuptuar se si ka degraduar vota në Shqipëri.

Në 2023, kryebashkiaku aktual Fisnik Qosja fitoi me 11,700 vota. Në 2025, e njëjta figurë “fitoi” sërish, por jo për meritë, po për marrëveshje.

Në këtë histori, PS nuk humbi nga paaftësia, PS u tradhtua nga vetvetja. U tradhtua në Luz, bastionin e vjetër të së majtës, në Golem, në Spille, në Synej, në çdo zonë ku deri dje kishte organizatë, e sot ka heshtje dhe dyshime. U tradhtua nga emra që e përdorën siglën për të bërë deputetë njerëzit e tyre. Sepse në Kavajë nuk pati thjesht një fushatë, pati një lëvizje të koordinuar për t’i dhënë Ramës mundësinë të mos humbë diku tjetër, duke dorëzuar me heshtje Kavajën.

Në lista ishte Pandeli Majko. Emër i vjetër, figurë e konsoliduar. Por as ky nuk ndihmoi. Sepse në terren ishte veprimi, jo ideali. Dhe veprimi quhej Elvis Rroshi. Po, ai që dikur doli nga dera me skandale dhe falsifikime, është rikthyer nga dritarja si njeriu që përcakton mandatet. Rroshi, i cili jo vetëm ka marrë vota të majta, por i ka futur në thesin e PD-së për të garantuar fitoren e Qoses, që është më shumë i Ramës se i Berishës.

Por si është e mundur kjo? Me bekimin e të gjithëve. Rama e përmendi disa herë emrin e kreut të PD-së së Kavajës gjatë fushatës, por jo për ta goditur, për ta paralajmëruar si pjesë të paktit. Berisha heshti! Dhe nuk heshti nga halli, por nga llogaria: sepse i është thënë nga baza e vet që, “pa Rroshin nuk fitojmë dot”. Dhe ai pranoi. Pse? Sepse tani nuk ka më standarde. Ka vetëm mbijetesë.

Në këtë skemë, heshtja e kryetarit të PD-së në Kavajë pasi humbi primaret në qarkun Tiranë nuk ishte mospërfshirje, ishte dritë jeshile për një marrëveshje të kryer. Burime të sigurta nga PS-ja lokale thonë qartë: “Rroshi e solli fitoren. Ai i organizoi, ai i çoi, ai i garantoi.” Por jo për ideal. Për llogari.

Dhe mos kujtoni se Rama nuk e dinte. Shkelja e syrit që i bëri Fisnik Qoses në Sarandë ishte shumë më tepër se një refleks protokolli. Ishte shenjë pëlqimi për një marrëveshje të heshtur. Sidomos kur dihet se një nga biznesmenët më të fuqishëm të Kavajës është kryetar bashkie në Sarandë, i vendosur atje me mbështetjen e plotë të Ramës dhe Rroshit, që sot veprojnë si një duet i padukshëm në çdo negociatë lokale.

Nga Redian Krali, ish-kryebashkiaku që refuzonte mafien e Golemit, Kavaja ka kaluar në duart e atyre që e lejuan këtë mafie të bëhet faktor elektoral. Krali u zhduk sepse nuk pranoi pazarin. Qosja u zgjodh sepse është pjesë e pazarit. Rroshi u përjashtua për moral. Sot është rikthyer pa moral, si garanci për rotacion të rremë, dhe rikthim përmes flamurit të tjetrit.

Dhe kjo nuk është fushëbetejë mes partive. Kjo është bankë tregtare për mandate. Rama shet një zonë për të shpëtuar një tjetër. Berisha blen një fitore për të mbajtur gjallë një emër. Rroshi ndërmjetëson. Qytetarët? Ata vetëm vulosin atë që është vendosur në tavolinë./Pamfleti

rama berisha loja e dyfishtë me kavajën elvis roshi

Lini një Përgjigje