
Mesntën e mbrëmshme skadoi afati i vendosur nga Komisioneri i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi për Partinë Demokratike që Lulzim Basha të firmoste si kryetar partie deklaratën solemne të parashikuar në Kodin Zgjedhor për t’u regjistruar në zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Por pa përfunduar ky afat PD e Enkelejd Alibeajt iu drejtua Komisionit të Ankimeve dhe Sanksioneve.
Sipas PD-së së Alibeajt, “rrëmuja e krijuar me dashje nga Komisioneri, bën që KQZ të shërbej më shumë si zyrë propagande, sesa si zyrë e administrimit të zgjedhjeve. Nuk ka cenim më të rëndë për zgjedhjet sesa shndërrimi i KQZ-së në zyrë propagande dhe perceptimesh politike”.
Në ankim lexohet se “Komisioneri vendosi publikisht afat 48 orë, por në skadim të këtij afati doli po publikisht dhe pohoi që afati skadon në 12 të natës (60 orë).
Më parë, avokati i PD Indrit Sefa u shpreh se vendimi nuk ka pse të vonohet pasi “PD nuk do të dorëzojë asnjë dokument në KQZ”.
Në fakt të dy grupet e PD-së, si ajo e Berishës edhe e Alibeajt, pas ‘luftës’ në Gjykatë dhe kërkesave të depozituara në KQZ, tanimë u ‘përplasën’ në KAS dhe kërkojnë zgjidhjen se cila PD do regjistrohet në zgjedhje.
Ditën e sotme, në orën 10:00 në KAS do të hidhet shorti për të përcaktuar relatorët e dy kërkesave ankimore të depozituara nga Berisha e Indrit Sefa, përfaqësuesi ligjor i grupit të Alibeajt.
Sipas PD-së së Alibeajt, shkresa për angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, nuk është përgjegjësi personale, por që merret në cilësinë e kryetarit të partisë që në rastin konkret ia ka kaluar kompetencat përfaqësuesit ligjor. Në një letër zyrtare të firmosur nga Sefa, thuhet se Basha është dorëhequr dhe se dokumentacioni i paraqitur është i plotë sipas rregullave.
Ndërkohë nga ana tjetër, Berisha kërkon zhbërjen e vendimit të Celibashit, i cili vendosi që ish-kryeministri të mos regjistrohet në zgjedhje me siglën e Partisë Demokratike. Në argumentimin e anikimit, Berisha i cili firmos si kryetar i Partisë Demokratike shkruan se të gjitha faktet, indiciet dhe provat në disponim provojnë në mënyrë të qartë dhe të pakundërshtueshme se PD e përfaqësuar me kryetar Sali Berisha duhet të regjistrohet si subjekt zgjedhor nga KQZ.
Në argumentim Berisha thotë se KQZ nuk mund të refuzojë regjistrimin e PD përfaqësuar nga Sali Berisha vetëm bazuar mbi mungesën e shkresës së regjistrit të partive politike, pasi sipas tij në regjistrin e partive politike vijon të mbeten të dhëna të pasakta dhe të vjetëruara.
Në mbledhjen e zhvilluar në 9 mars, gjatë shqyrtimit të kërkesave të grupimit të Berishës dhe të Alibeajt për t'u regjistruar në zgjedhje, KQZ vendosi të mos i pranojë të dyja. Kërkesa e Rithemelimit nuk u pranua për shkak se Basha njihet ligjërisht si kryetar partie dhe jo Berisha. Ndërsa kërkesën e Alibeajt për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, Ilirjan Celibashi u shpreh se nuk e pranonte për shkak se mungonte një dokument shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe që duhet firmosur me patjetër nga kryetari i partisë, që ligjërisht është Lulzim Basha. Për dorëzimin e dokumentit të firmosur, KQZ i la afat PD-së vetëm 48 orë kohë.
Deklarata njihet si një ‘përgjegjësi’ e kryetarit të Partisë dhe si e tillë duhet plotësuar vetëm nga ai. Deklarata parashikohet në nenin 64 të Kodit Zgjedhor ku radhitet dokumentacioni që duhet të paraqitet për regjistrimin e një partie politike. Dokumenti sipas Celibashit duhet të firmoset vetëm nga kryetari i Partisë dhe është përgjegjësi që nuk mund të delegohet. Ne pikën e të këtij neni thuhet se: deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet. Teksti i deklaratës përcaktohet nga KQZ-ja.
Lini një Përgjigje