
Teksa mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike nuk ka dalë me një vendim përfundimtar si do garohet në zgjedhje, duket se anëtarët janë ndarë në dy grupe.
Mësohet se Kolegji i Kryetarëve ka pasur diskutime mjaft të gjera ku ka mbizotëruar ideja që të ketë kandidatë të PD-së zyrtare të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj në të gjitha bashkitë.
Por ka pasur edhe propozime për të arritur një marrëveshje me palën tjetër që drejtohet nga ish-kryeministri Sali Berisha, e cila deri më tani nuk është finalizuar.
Ndërsa shumica e deputetëve të Grupit Parlamentar të PD-së së drejtuar nga Alibeaj mendojnë se në 14 maj duhet të garojnë vetëm me emra për këshillat bashkiakë.
Ndër emrat që kanë kërkuar të mbështeten kandidatët e “Primareve” të Berishës janë Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Dhurata Çupi dhe Dashnor Sula.
Anëtarja e Kryesisë, Taulanta Jupi, ka thënë se PD duhet të hyjë me kandidatë në të gjitha bashkitë, mendim të cilit i janë bashkuar Gazmend Koduzi, Orjola Pampuri e Agron Kapllanaj, mendim ky i cili mbështetet edhe nga kryetari i komanduar i partisë, Enkelejd Alibeaj.
Ndërsa deputeti i PD Kreshnik Çollaku ka shprehur mendimin për garimin me kandidatë vetëm në ato bashki ku ka mundësi për të fituar.
Ditën e nesërme është afati i fundit për regjistrimin në Komsionin Qendror të Zgjedhjeve të kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshilltarë dhe Partia Demokratike po luan me limitet e kohës.
Pas ditës së djeshme në mbledhjet maratonë, që prej orës 12:00 deri në 02:00, nuk u arrit dot konsenusi për mënyrën se si do të futen në garën elektorale të 14 majit.
Pas diskutimeve me Kolegjin e Kryetarëve dhe kandidatët e propozuar deri më tani, kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj mblodhi Kryesinë dhe për 8 orë kanë zhvilluar debate nëse në zgjedhje do të dalin vetëm me lista për këshilla bashkiakë apo me kandidatë për kryebashkiakë në 61 bashki.
Këto debate kanë bërë që mbledhja e Kryesisë të mbyllej pa një vendim përfundimtar për të vijuar sërish sot diskutimet në orën 18:00.
Debate të forta u zhvilluan mes anëtarëve të Kryesisë dhe numrit 2 të partisë, Gazement Bardhi.
Ky i fundit kërkon që të futen në zgjedhje vetëm me lista për këshilla bashkiakë dhe të dalin me kandidatë për kryebashkiakë vetëm në zonat ku mund të fitohet. Por, kjo është kundërshtuar nga pjesa më e madhe e Kryesisë, te cilët rrëzuan me votë propozimin e Bardhit. Por gjithsesi për shkak të debateve, mbledhja e djeshme u mbyll pa një vendim.
Lini një Përgjigje