TAGS-AT E JAVËS

Politike26 Mars 2023, 07:20

14 maji/ Debate të forta mes anëtarëve të PD, Bardhi: Të dalim vetëm me kandidatë për këshilla; Kryesia del kundër

Shkruar nga Pamfleti
14 maji/ Debate të forta mes anëtarëve të PD, Bardhi:
Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike

Ditën e nesërme, e hëna e 27 Marsit është afati i fundit për regjistrimin në Komsionin Qendror të Zgjedhjeve të kandidatëve për kryebashkiakë dhe këshilltarë dhe Partia Demokratike po luan me limitet e kohës.

Pas ditës së djeshme në mbledhjet maratonë, që prej orës 12:00 deri në 02:00, nuk u arrit dot konsenusi për mënyrën se si do të futen në garën elektorale të 14 majit.

Pas diskutimeve me Kolegjin e Kryetarëve dhe kandidatët e propozuar deri më tani, kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj mblodhi Kryesinë dhe për 8 orë kanë zhvilluar debate nëse në zgjedhje do të dalin vetëm me lista për këshilla bashkiakë apo me kandidatë për kryebashkiakë në 61 bashki.

Këto debate kanë bërë që mbledhja e Kryesisë të mbyllej pa një vendim përfundimtar për të vijuar sërish sot diskutimet në orën 18:00.

Debate të forta u zhvilluan mes anëtarëve të Kryesisë dhe numrit 2 të partisë, Gazement Bardhi.

Ky i fundit kërkon që të futen në zgjedhje vetëm me lista për këshilla bashkiakë dhe të dalin me kandidatë për kryebashkiakë vetëm në zonat ku mund të fitohet. Por, kjo është kundërshtuar nga pjesa më e madhe e Kryesisë, te cilët rrëzuan me votë propozimin e Bardhit. Por gjithsesi për shkak të debateve, mbledhja e djeshme u mbyll pa një vendim. Vetë kryetari i komanduar, Alibeaj kërkon që të nxjerrin kandidatë për kryebashkiakë në 61 bashki, madje ka thënë se i ka edhe emrat.

Të gjendur përballë presionit të kohës, demokratët do duhet të vendosin në mbledhjen e sotme se si do të kandidojnë në këto zgjedhje.

Deri më tani Enkelejd Alibeaj ka bërë publikë vetëm 17 kandidatë.

Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme PS zyrtarizoi kandidatët e saj në 61 bashki, ndërsa Sali Berisha i cili i ka nxjerrë kandidatët nga primaret, miratoi listat e kandidatëve për këshilltarë të koalicionit opozitar. Pjesën më te madhe e ka marrë Berisha, ndërkohë që vetëm 240 pozicione kanë shkuar për Metën dhe 20 pozicione për PBDNJ.

 

14 maji pd bardhi kryesia

Lini një Përgjigje