Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi thotë së nga zgjedhjet e 11 majit prisnin të përfaqësoheshin me më shumë deputet, por ndan bindjen se Partia Socialiste u votua nga frika e rikthimit të Sali Berishës.
Ai tha se frika se do rikthehej Sali Berisha në pushtet i ka bërë shumë prej votuesve që t’ia japin votën Partisë Socialiste, përtej makinacioneve apo shantazheve që pati në zgjedhje.
'Ne ia kemi dalë mbanë të përfaqësohemi në parlament që është një hap i rëndësishëm. Detyra e këtyre që i etiketojmë si parti të reja, është ta heqin nga vetja këtë etiketim dhe të krijojnë një identitet të tyre politik, të cilën Lëvizja Bashkë e ka krijuar.
Por na lind detyra që identitetin tonë ta çojmë te publiku. Nëse futesh në koalicion sigurisht që të humbet identiteti.
Gjërat që na ndajnë dhe janë pjesë e identitetit të Lëvizjes Bashkë është një vizon programor i majtë, është ndershmëria dhe koherenca jonë.
Nëse do bëhemi bashkë me parti që financohen me fonde të pafundme që nuk dihet nga vijnë, është koherenca jonë. Arlind Qori nuk hyn në parlament, hyn Redi Muça.
Ne vijmë nga organizime të ndryshme të përfaqësimeve sociale, i studentëve, i punëtorëve, etj.
Lajmi i mirë është që të tre partitë e reja kanë mundësi të futen në parlament dhe të ballafaqohen me partitë e mëdha.
Nuk mund të përdorim mekanizmin e partive të vjetra. Ne jemi lëvizje që vijmë nga organizimet e lëvizjeve sociale në terren dhe përfaqësimi për herë të parë në parlament, është hap i rëndësishëm.
Lufta jonë jo vetëm nuk do ndalet por do intensifikohet. Nga këto zgjedhje dolën disa mësime.
Mësimi i parë është që Sali Berisha nuk ka për ty bërë kurrë Kryeministër i Shqipërisë dhe gjithë ata që votuan Partinë Socialiste nga frika se do rikthehej fantazma e Sali Berishës në Shqipëri, e kuptuan gabim.
Mendoj që nëse të gjithë ata që votuan PS, po ta dinin rezultatin e zgjedhjeve që PS do merrte 83 mandate dhe Arlind Qori nuk do hynte në parlament, mendoj se po t’iu jepej mundësia përsëri do votonin Lëvizjen Bashkë.
Kam frikë se frika se do rikthehej Sali Berisha në pushtet i ka bërë shumë prej tyre që t’ia japin votën Partisë Socialiste, përtej makinacioneve apo shantazheve.
Pesha e pushtetit të Edi Ramës në katër vitet e ardhshme do rëndojë akoma më shumë, skandalet do thellohen edhe më shumë dhe rrjedhimisht shpresa është që në 2029 Lëvizja Bashkë do përfaqësohet shumë herë më mirë dhe më fortë se në këto zgjedhje.', tha Muçi.
Lini një Përgjigje