TAGS-AT E JAVËS

Politike21 Maj 2025, 20:16

11 maji, Alimehmeti: Gara u bë brenda llojit, sistemi favorizon anti-vlerat

Shkruar nga Pamfleti

11 maji, Alimehmeti: Gara u bë brenda llojit, sistemi favorizon anti-vlerat

Ilir Alimehmeti, i cili garoi në listën e hapur të kandidatëve për deputet në Qarkun e Tiranës, nën siglën e koalicionit ‘PD-ASHM’ tha se në 11 maj nuk pati një garë për ide dhe programe mes partive politike, por një garë mes kandidatëve të vetë subjekteve, atyre që konsiderohen si lista e hapur.

Në podcastin ‘Të Pashoq’, Alimehmeti tha se ky sistem elektoral që u aplikua në 11 maj i nxjerr të gjithë të humbur.

Ai vuri theksin në uljen e cilësisë së përbërjes së Parlamentit, pasi deputetët nuk zgjidhen nga njerëzit, por emërohen nga forumet e partive.

Ndiheni i mërzitur që nuk e morët mandatin e deputetit edhe pse morët mbi 17 mijë vota, apo fitorja morale e sfumoi këtë?

Alimehmeti: Diskutimi duhet bërë në rrafshin total. Me këtë sistem zgjedhor që baballarët kanë përgatitur për të rinjtë, zgjedhjet nuk janë tamam zgjedhje, por përkundër vendimit të Kushtetuesus, u vendos ky sistem me lista të hapura dhe të mbyllura.

Gara u bë brenda subjekteve politike dhe jo ndërmjet subjekteve politike. Pra nuk u bë një garë për programet apo idetë politike.

Ky sistem elektoral i nxjerrë të gjithë të humbur. Nuk pati një garë idesh mes partive politike. Lista e hapur është e vetmja mundësi për demokraci të drejtpërdrejtë.

Prej 20 vitesh shikojmë një cilësi që bie, sepse janë forumet e partive që zgjedhin ata që shkojnë në Parlament dhe nuk janë njerëzit që zgjedhin.

Prandaj sot kemi emra të panjohur, fenomene të çuditshme, njerëz që nuk i njeh askush deri një ditë para zgjedhjeve, që marrin rekord votash, dhe fenomene të tilla i kemi parë si në Elbasan, Durrës. Çështja është si do shërbejë ky Parlament i ri për njerëzit nesër dhe kjo është mërzia e madhe.

Po të marrësh aq vota sa more ti dhe të mbetesh jashtë Parlamentit, ndërkohë hyjnë ata që marrin zero vota?

Ky është faji i sistemit, sistemi i mbrapsht, dhe në kohë prodhon antivlera. Nëse ky sistem nuk do të ishte i tillë, këto antivlera nuk do arrinin dot. Sepse ky sistem i krijon terren. Nëse i krijon terren, e keqja mbin. Në 2025 ne kemi të njëjtat probleme si në zgjedhjet e 2021 apo edhe më parë. Këtë thotë edhe OSBE/ODIHR në raportin paraprak.

 

Lini një Përgjigje