TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Dhjetor 2025, 08:43

LIVE/ KLP zgjedh sot kreun e ri të SPAK, ndërkombëtarët në mbledhje (Video)

Shkruar nga Pamfleti
LIVE/ KLP zgjedh sot kreun e ri të SPAK, ndërkombëtarët
Sot zgjidhet kreun e ri i SPAK

Sot do të zgjidhet kreu i ri i SPAK dhe ekipet e ndërkombëtarëve që po monitorojnë procesin janë në sallë.

Sipas rendit alfabetik, para anëtarëve të KLP-së do të paraqiten Adnan Xholi, Doloreza Musabelliu, Elvin Gokaj dhe Klodian Braho.

Secili prej tyre do të ketë mundësinë të prezantojë vizionin dhe platformën e drejtimit të SPAK-ut, ndërsa më pas do t’u përgjigjen pyetjeve të anëtarëve të Këshillit, siç parashikohet nga procedurat zyrtare.

 LIVE nga KLP:

Adnand Xholi është pari kandidat në garë për kreun e ri të SPAK që do të japë intervistën e tij, e cila do të monitorohet edhe nga ndërkombëtarët.

Mbledhja e KLP

Këshilli i Lartë i Prokurorisë nisi në orën 09:00 për të zgjedhur drejtuesin e ri të SPAK, ndërsa mandati i Altin Dumanit përfundon më 18 dhjetor. Procesi do të zhvillohet në një mbledhje të hapur për mediat, ku katër kandidatët do të prezantojnë platformat e tyre përpara anëtarëve të KLP-së, përfaqësuesve të institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë.

Në garë janë katër prokurorë të SPAK-ut, Adnan Xholi, Klodian Braho, Elvin Gogaj dhe Doloreza Musabelliu, kjo e fundit, gruaja e parë që synon drejtimin e Prokurorisë së Posaçme. Të gjithë kandidatët kanë eksperiencë të gjatë në hetime të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Xholi njihet për dosjet e krimit të organizuar dhe hetimin e atentatit ndaj prokurorit Ndoja. Braho ka drejtuar çështje të bujshme si inceneratorët dhe “Toyota Auris”. Gogaj është autor i hetimeve ndaj ish-ministrit Ahmetaj dhe abuzimeve në tenderë publikë. Musabelliu ka qenë pjesë e hetimit të “Plumbit të Artë” dhe masakrës së Lushnjës.

Kreu i ri i SPAK do të zgjidhet me shumicën e votave të KLP-së, në një proces që partnerët ndërkombëtarë kërkojnë të jetë i drejtë dhe transparent.


Pritshmëritë e ndërkombëtarëve

Zhvillimi i sotëm ka marrë vëmendje të veçantë edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, gjatë një takimi me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, theksoi rëndësinë e procesit dhe nevojën për integritet maksimal.

Ai u shpreh besimplotë se KLP-ja do të tregojë përgjegjshmëri të lartë dhe do të sigurojë që SPAK të drejtohet nga një person i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve që kërkon BE-ja.

Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe reagoi përmes një deklarate zyrtare në rrjetet sociale, duke e cilësuar zgjedhjen e kreut të SPAK “një hap të rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit”. Ambasada britanike theksoi se procesi duhet të jetë “i lirë, i drejtë dhe transparent”, ndërsa shtoi se pret të bashkëpunojë me cilindo prej pretendentëve që do të marrë postin.

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili më 1 dhjetor u paraqit në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitje” për çështjen “Partizani”, komentoi procesin e zgjedhjes së kreut të ri. I pyetur nga gazetarët nëse do ta njohë drejtuesin që do të zgjidhet këtë muaj, Berisha tha se shpreson që ai “të mos jetë i kapur nga krimi”, duke shtuar se ai respekton çdo institucion që zbaton ligjin.

klp zgjedh sot kreun e ri të spak adnan xholi klodian braho

1 Komente

  1. F
    Feti Dema

    Klodian Braho- Drejtues i ri i SPAK! E meriton dhe besoj se e ka predispozicionin të dalë jashtë ndikimeve partiake dhe klaneve brënda SPAK.

    Lini një Përgjigje