
Pasi u mbajtën për disa orë homazhe në nder të aktorit të njohur shqiptar, Mirush Kabashi është përcjellë për në banesën e fundit, nga miq të afërm e dashamirës të tij.
Në hollin e Muzeut Kombëtar janë mbajtur homazhet prej orës 10 të paradites deri në 13:00. Aktori i madh, Mirush Kabashi u nda nga jeta ditën e djeshme në moshën 75-vjeçare, pas një beteje 3-vjeçare me një sëmundje të rëndë. Kabashi, artist i merituar, do të prehet në varrezat e Sharrës.
Ndërsa kolegë të tij e kanë kujtuar atë si një njeri mjaft të dashur, që rrezatonte mirësi dhe një aktor profesionist.
Luftar Paja: Do ta kujtoj për talentin e tij shumëdimensional. Do ta mbaj mend si një figurë shumëdimensionale, i papërsëritshëm. Si një njeri i qeshur dhe i miqësisë dhe do të më kujtohet nëpërmjet veprave që ka lënë. Siç kishte emrin ashtu rrezatonte dhe mirësi. Prehu në paqe!
Ylljet Aliçka: Mirushi ka bërë një pjesë teatrale me tregimet e mia, një film të gjatë me skenarin tim. Sokrati është më e veçanta. Ai të gjitha rolet i qante, Mirushi qe mjeshtër.
Zhani Ciko: Mirushi mendonte për rolet e tij, jetonte për to. I kam njohur vlerat e mëdha të Mirushit. Një ditë Mirushi më afrohet dhe më thotë; kam përgatituri rolin që do të jetë më i rëndësishmi në karrierën time. Unë i thash; ty nuk të thuhet jo se ti nderon skenën. Kur bëjmë ne koncertin, skena do të jetë e jotja. U habitëm se ishte veshur me një veshje të veçantë dhe doli e interpretoi ‘Sokratin’ e tij për herë të parë. Mua më ngjalli sadisfaksion.
Lini një Përgjigje