
Një çast kur Alma Hadëri mendoi se e kishte të plotë dosjen e të atit, dikush e këshilloi se kishte akoma punë. Yt atë, para se të vritej, i tha ai, ka lënë një testament për ty. Atëherë duhej kërkuar përsëri. Duheshin takuar shokët e qelisë. Ata që mbijetuan. Dhe kështu, në arkivin e kujtimeve të saj hyri një lajmëtare e ardhur nga larg. E ardhur nga skëterra, ku i kishin degdisur të atin që nuk e pa kurrë. Sazan Hadëri pesë minuta para se ta vrisnin u ul e i shkroi të bijës. Po çfarë....
Pjesa e Dytë/ Vijon nga Pjesa e Parë
Ajo nuk e ka njohur babain dhe historinë e tij e ka dëgjuar shumë vonë. Alma Hadëri, vajza e vetme e të pushkatuarit në burgun e Burrelit natën e 2 gushtit ‘67, ende nuk i ka mbushur të gjashtëdhjetat, por nga mënyra si rrëfen të duket më e madhe, pavarësisht pamjes së brishtë dhe vështrimit zhbirues.
Drama që ka përjetuar e ka mësuar t’i fsheh brenda vetes emocionet e trishta e të shfaqet e qetë para të tjerëve. Megjithatë, kur bie fjala për babain, historia e të cilit e ka ndjekur pas tërë jetën, vlaga e kujtimeve e nxjerr disi nga vetja dhe sakaq humbet në rrjedhën e tyre. I vjen e gjallë para syve gjyshja që e tërhiqte përdore për diku larg, mbas maleve, por me gjithë atë lodhje sfilitëse, ajo nuk e kuptonte përse, nga që nuk takonte askënd. “Ku ta dija, shprehet Alma, se pas atyre shkrepave, na priste babai.
S’kisha si ta dija, isha e vogël, fare e vogël.” Sakaq, vajza e të dënuarit që u vra natën e 2 gushtit në burgun e Burrelit, mban mënd se edhe emrin ja ka mësuar vonë, shumë vonë. “Në ditën e parë të shkollës, saktëson Alma duke kujtuar shqiptimin e atësisë nga mësuesja e klasës së parë. Ka vrapuar pas këtij çasti drejt shtëpisë me lot në sy për të mësuar diçka nga nëna e gjyshja. Ato më në fund e kanë sqaruar se babai nuk jeton, ka ndërruar jetë në Burrel. Po përsëri, vetëm kaq, ishin pak për tu njohur me historinë e tij. Ditë pas dite pastaj nuk ka reshtur së kërkuari, deri sa ka prekur të vërtetat tronditëse. Të vërtetat e asaj vdekje të pazakontë, i kushtuan shumë.
Ajo kujton se fillimisht e privuan nga e drejta për të mbajtur shallin e pionierit, pastaj teserën e anëtarësisë së organizatës së rinisë dhe në fund nga e drejta për studime universitare ndërkohë që ishte e para e shkollës. Gjithsesi, jeta rrodhi si ujët. Ajo rrjedh e bën të sajën. Fëmijët rriten, vajzat plaken, pleqtë vdesin. Kujtimet mbeten. Një çast kur Alma Hadëri mendoi se e kishte të plotë dosjen e të atit, dikush e këshilloi se kishte akoma punë.
Yt atë, para se të vritej, i tha ai, ka lënë një testament për ty. Atëherë duhej kërkuar përsëri, duheshin takuar banorët e dhomës 25. Në inventarin e kujtimeve të saj kërkonte të hynte duke u hasharitur një lajmëtare e ardhur nga larg. E ardhur nga skëterra, ku i kishin degdisur të atin që nuk e pa kurrë. Sazan Hadëri pesë minuta para se ta vrisnin u ul e i shkroi të bijës. Po çfarë....
Zonja Alma! Ju jeni vajza e vetme e Sazan Hadërit. Si jeni njohur me lajmin për vrasjen e tij gjatë tentativës për tu arratisur nga burgu i Burrelit?
Kur vranë babain, unë kam qenë e vogël, dy vjeçe. Pra, nuk mund të orientohesha me fatkeqësinë e ndodhur. Faktin se im at nuk jetonte e kam marrë vesh vonë, po dhe atëherë nuk më sqaruan për rrethanat e vdekjes. Me të vërtetën jam mësuar dalëngadalë, pas interesimeve të shumta me kërshërinë e fëmijës. Gjithsesi, e kam pasur të vështirë të pajtohem me të. Këdo që pyesja, më përgjigjej qortueshëm: Mos! E ka vrarë shteti! Lere të pushojë ku ka rënë! Për vite me radhë kështu...
Pra, ju nuk e keni njohur babain, nuk e keni parasysh fare imazhin e tij...
Nuk e mbaj mënd fare, por nga rrëfimet e të tjerëve, kam fiksuar një imazh të tij. Së pari, nga tregimet e mamasë dhe gjyshes. Më ka dashur çmendurisht, thonë ato. Çohej tre katër herë gjatë natës për të më parë. Madje më vinte veshin në kraharor për të kontrolluar frymëmarrjen. Të gjitha pasditet i rezervonte të më shëtiste me karrocë te parku “Rinia”. Ka qenë i rrallë, i veçantë në marrëdhëniet me mua, kujton mamaja...
Kur jeni njohur për herë të parë me lajmin se babai tuaj nuk jetonte?
Ka qenë shumë e rëndë e dramatike ajo ditë. Shkoja për tu regjistruar për herë të parë në shkollë. I zgjata mësueses certifikatën, e ajo duke i diktuar të dhënat sekretares, lexoi gjenalitetet e mia: Alma Sazan Hadëri! Citimi i saj më vrau veshin dhe aty për aty kujtova mos ishte ndonjë ngatërresë e zyrtarit të gjendjes civile. Ja shpreha këtë mësueses, por ajo bëri sikur nuk dëgjoi. Deri atëherë dija për mbiemër atë të familjes së mamasë.
Fjalën Hadëri nuk e kisha dëgjuar herë tjetër. Po kështu dhe emrin e babait. E kuptova se diçka nuk shkonte dhe e befasuar siç isha, u largova me një frymë në shtëpi. Mama, si është puna?-i thashë. As jam unë vajza jote? Ajo më mori në prehër dhe me lot në sy më tregoi atë që ma kishte fshehur prej vitesh. Babai ka vdekur! Fjalët e saj më goditën si shigjetë. Për një moment mbeta si e ngrirë. Sakaq, ime më shkoi në dhomën tjetër dhe erdhi me një fotografi të madhe në dorë. Ky është yt atë!, tha duke ma zgjatur. E mora. Nuk e kisha parë kurrë atë fytyrë. I hodha një sy vetëtimthi. Ishte babai. Dukej burrë i pashëm, fisnik, me vështrim të ëmbël.
Disa çaste qëndrova me të në duar. Mamaja thotë se kam folur gjatë përball tij, po mua nuk më kujtohet çfarë kam thënë. Më vonë më pruri albumin me fotografitë e tij. Ishin dhjetëra të tilla. Pastaj u ulëm shtruar si dy shoqe të afërta. Folëm gjatë. Mësova shumë gjëra atë ditë. Po përsëri vetëm faqen e parë të historisë së babait munda të zbuloj...
Mamaja më në fund të foli për babain...
Atë ditë mësova emrin e babait dhe faktin që kishte vdekur. Vetëm kaq. Isha fëmijë e si i tillë nuk mund të shkoja më tej. Sa për rrethanat e tragjedisë, nuk bëhej fjalë. Në rastin e babait, nuk ishte një vdekje e zakonshme, por një vrasje politike...
Sidoqoftë, me kalimin e kohës e mësuat se ishit vajza e një të dënuari që ishte pushkatuar në burgun e Burrelit...
Këtë e kam marrë vesh krejt rastësisht, në një aktivitet të çetës së pionierit. Ishte ceremonia kur për herë të parë do merrnim shallin e kuq të pionierit. Kur erdhi radha ime dhe shkova të paraqitesha në tribunë, komandantja e çetës më tha se nuk ka shall për ty. Pse?, i thashë unë.
Nuk ka, kështu ka thënë partia, ma ktheu ajo prerë. Është e vërtetë, më tha gjyshja kur shkova në shtëpi, kështu ka thënë partia. Çka partia me mua, unë i kam të gjitha dhjeta?, ja ktheva e revoltuar. Nuk ka gjë me ty, por me babain tënd, shtoi ajo dhe më tregoi pak a shumë atë që kishte ndodhur në Burrel. Ishte diçka tronditëse kjo për mua, por jo e pakapërcyeshme. Fakti që nuk kuptoja rrezikun e ngjarjes, më bënte ta harroja lëndimin për përjashtimin nga radhët e pionierëve. Megjithatë, e keqja do shfaqej sërish. Goditja e dytë erdhi më e fortë kur do futesha në radhët e rinisë. Teksa të gjithë morën dokumentin e anëtarësimit, mua më nxorën jashtë nga salla.
Nuk e meriton, thoshin njerëzit nën zë se është vajza e armikut të popullit. Ika në shtëpi duke qarë, bile me dënesë. E njëjta gjë edhe kur mbarova shkollën e mesme. Isha e para e shkollës “Nimete Progonati”, por e përjashtuar nga e drejta për të shkuar në universitet. Arsyeja, si gjithnjë-babai! Po kështu në festivalin e muzikës. Zura vendin e parë në Tepelenë, por isha e padëshirueshme për konkurrimin kombëtar, për mungesë të besimit politik. Në vendin tim shkoi një tjetër...
Çfarë raportesh kishte familja juaj me babain gjatë kohës që ai vuante dënimin?
Atë e vizitonte më shpesh gjyshja. Ajo e ndoqi si në burgun e Laçit dhe në atë të Burrelit. Në çdo takim babai e porosiste të mos mundohej, por ti sillte një herë të vetme vajzën e ta mbyllte përfundimisht atë punë. Aman vajzën!, i përgjërohej. Më çoi e mira nënë dy herë aty. Një herë në Laç, e një herë në Burrel.
Në të dyja rastet nuk na lejuan ta takojmë. Arsyeja e kësaj sjellje, me sa kam mësuar më vonë, lidhej me natyrën rebele të babait me punonjësit e shërbimit. Me sa duket, e dinin pikën e dobët të tij dhe aty hakmerreshin barbarisht. Iku i gjori, iku me një peng të madh. Sa herë e qante gjyshja me ligje, kuptohet fshehtas, se armiqtë ishin të ndaluar t’i vajtoje, ja thoshte dhe këtë fakt...
Kur të kanë treguar se babain e kanë vrarë në burg gjatë tentativës për tu arratisur?
Kam qenë e rritur kur mësova rrethanat si ishte vrarë babai. Asokohe flisnim gati ilegalisht për këtë ngjarje në shtëpi. Vetëm pas viteve 90 kemi mundur ta mësojmë të plotë ndodhinë e asaj nate tragjike gushti. Të parët që takova nga bashkëvuajtësit e babait, më thanë të kërkoja se kishte lënë një testament për mua. Ka lënë një letër, më tha miku i tij Naim Pashai. Ai të kishte pikë të dobët, por kërkoje se do ta gjesh. Dhe kërkova e kërkova për ditë e muaj me radhë. E gjeta. Nuk kishte lumturi më të madhe kur mora në dorë amanetin e babait të shkruar vetëm pesë minuta para se të vritej.
Në çfarë rrethanash e kishte shkruar letrën dhe çfarë mesazhi kishte aty?
Kanë qënë momentet kur bënte përgatitjen e fundit për tu arratisur. Është ulur në një qoshe të dhomës dhe ka hedhur me nxitim ato pesë rrjeshta. Pastaj letrën ia ka afruar në mirbesim shokut të qelisë. Mos më merr për të çmendur,i ka thënë. Kam vendosur të largohem, të arratisem.
Shkurt, po shkoj drejt vdekjes. Në rast se vritem, të lë amanet këtë letër për vajzën time. Po e takove, thuaj se e kam dashur shumë, shumë. Po shpëtova, për atë do punojë. Vetëm pak çaste pas kësaj ndodhi tragjedia. Tim at e vranë. Në qelinë ku kishte qënë filloi terrori. Kontrolli i gardianëve gjeti dhe letrën. Letrën që mbeti sirtarëve të arkivit të siurimit. Në vitet e demokracisë e gjeta dhe e ruaj si gjë të shtrenjtë…
Çfarë shkruante aty babai?
Ato që mund ti thotë një prind fëmijës në çastet kur ndahet për jetë me të. Porosit “Të bëhesh vajzë e mirë”. Pastaj ato fjalë zemre për “princeshën”, për të cilën po të shpëtonte do bënte mrekullitë. E kam peng që nuk harrita ta njoh, të paktën ta kisha parë një herë. Ta kisha dëgjuar nga afër përkëdhelinë e tij “Princesha e babait”. Po ja që jeta të tillë fat kishte rezervuar për atë dhe mua…/Pamfleti
Lini një Përgjigje