Antonio Gramshi mbetet një nga figurat më paradoksale dhe më ndikues të mendimit politik italian të shekullit XX. Nga burgu ai ndërtoi një “filozofi konkrete”, të bazuar te analiza historike, kultura dhe hegjemoni kulturore, duke rinovuar marksizmin italian dhe duke i dhënë të majtës një vizion politik që ndikoi Italinë për dekada. Megjithëse bota që ai mendonte ka ndryshuar rrënjësisht, shumë nga intuitat e tij mbi pushtetin, kulturën dhe ndërtimin e narrativave politike mbeten ende aktuale.
Ka një seri paradoksesh në personalitetin dhe mendimin e Antonio Gramshit.
Paradoksi i parë është “filozofia konkrete” e tij. Një tjetër është fakti se ai u “detyrua” të bëhej filozof, sepse profesioni dhe shqetësimi i tij i parë ishte politika, dhe pikërisht politika e çoi në burg. Aty ai u bë filozof nga nevoja.
Një tjetër paradoks lidhet me vetë strukturën e mendimit të tij. Gramshi nuk la pas një sistem filozofik organik dhe të ndërtuar në mënyrë klasike. Mendimi i tij është shpërndarë në rreth tridhjetë fletore burgu dhe në mijëra artikuj të botuar në gazetat që themeloi gjatë jetës: “La Città Futura”, “L’Ordine Nuovo”, “L’Unità”. Fletoret janë thellësisht jo-lineare dhe shpesh të vështira për t’u interpretuar.
E megjithatë, ndoshta nuk ekziston në historinë italiane të shekullit XX një mendimtar që, pas vdekjes, të ketë pasur ndikim më të madh në shoqëri, kulturë dhe politikë sesa Gramshi.
Ndërtimi i figurës së Gramshit si mendimtar politik, si teoricieni që mund t’i jepte bazën konceptuale një partie masive, i detyrohet kryesisht Palmiro Togliattit. Ishte ai që botoi “Fletoret e burgut” menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe që ndërtoi mbi mendimin gramshian veprimin konkret të Partisë Komuniste Italiane.
Vetëm disa dekada më vonë, gramshizmi i ndërtuar nga Togliatti nisi të vihej në diskutim. Gjatë viteve ’80, e majta italiane u largua gradualisht nga Gramshi dhe përfundoi në horizonte politike shumë të ndryshme nga të tijat.
Mendimi i Gramshit u formua para Luftës së Parë Botërore në Torino, në universitetin ku ai studioi mes vështirësive të mëdha ekonomike dhe ku njohu figura si Togliatti, Terracini dhe Tasca.
Pika themelore e formimit të tij ishte bindja se marksizmi i Internacionales së Dytë ishte i pamjaftueshëm: tepër pozitivist, mekanik dhe i paaftë për veprim real politik, sepse ia besonte zgjidhjen e problemeve historike automatizmave të progresit dhe demokracisë.
Në të njëjtën kohë, Gramshi hyn në kontakt me mendimin më të avancuar borgjez të kohës: Benedetto Croce, Giovanni Gentile dhe Georges Sorel.
Pikërisht këtu lind marksizmi i tij i veçantë: jo një teori abstrakte dhe dogmatike, por një teori politike e ndërtuar mbi analizën konkrete dhe historike të proceseve shoqërore dhe të kontradiktave të tyre.
Gramshi rinovon marksizmin italian duke i shtuar një dimension historik, etik dhe kulturor që më parë mungonte. Socializmi dhe komunizmi nuk duhej të ishin thjesht teori ekonomike, por një mënyrë alternative për të interpretuar historinë e Italisë dhe të Europës.
“Filozofia konkrete” e Gramshit nuk mendon në kategori abstrakte. Ajo mendon probleme reale.
Dhe problemi që mendoi Gramshi ishte Italia, një Itali e bashkuar keq dhe e ndarë nga dy kontradikta të mëdha: ajo mes Veriut dhe Jugut dhe ajo mes elitave dhe popullit.
Raporti Veri-Jug tregonte paaftësinë për të ndërtuar një unitet të vërtetë ekonomik dhe shoqëror. Italia ishte ngritur mbi dominimin e Veriut ndaj Jugut dhe mbi aleancën mes klasave parazitare jugore dhe borgjezisë veriore.
Ndërsa raporti mes elitave dhe popullit ishte po aq problematik, sepse elitat italiane ishin të afta vetëm për komandë politike, jo për hegjemoni reale kulturore dhe morale.
Në këtë kontekst, Gramshi ia beson proletariatit dhe socializmit detyrën për të ndërtuar unitetin e vërtetë të Italisë, diçka që borgjezia, sipas tij, kishte dështuar ta bënte dhe që përfundimisht ia kishte hapur rrugën fashizmit.
Prandaj, për Gramshin, detyra themelore ishte krijimi i një Italie “nacional-popullore”.
Ai kundërshton njëkohësisht dy devijime të së majtës:
pasivitetin mekanik të socialdemokracisë që priste triumfin automatik të socializmit;
dhe aventurizmin revolucionar të partive ekstremiste që besonin te revolucioni i menjëhershëm.
Për Gramshin, revolucioni nuk ishte vetëm marrje pushteti. Ishte ndërtim hegjemoni.
Hegjemonia ishte aftësia e një klase për t’i paraqitur interesat e veta si interesa universale të shoqërisë. Dhe kjo nuk arrihej vetëm me forcë ekonomike apo politike, por edhe përmes kulturës dhe intelektualëve “organikë”, të aftë për të prodhuar një vizion bindës të botës.
Kjo ishte detyra e madhe e së majtës: të ndërtonte një klasë intelektualësh që do t’i jepte partisë jo vetëm organizim politik, por edhe legjitimitet kulturor dhe moral.
Në gjuhën e Gramshit, nuk mjaftonte më “lufta e lëvizjes” — revolucioni i menjëhershëm — por duhej “lufta e pozicionit”: pushtimi gradual i hapësirave kulturore, sociale dhe politike të shoqërisë.
Këtu qëndron edhe përplasja e tij me Crocen.
Për Gramshin, Croce ishte shprehja më e lartë e botës borgjeze sepse i jepte pushtetit ekzistues një justifikim universal: historia liberale paraqitej si realizimi i lirisë.
Komunistët, sipas Gramshit, duhej të bënin të njëjtën gjë: të ndërtonin një vizion alternativ të historisë dhe të lirisë reale, jo formale.
Ata nuk duhej ta pranonin idenë se historia kishte marrë fund apo se rendi ekzistues përmbante tashmë të gjitha zhvillimet e mundshme të së ardhmes.
Pikërisht sepse besonin te historia si manifestim i lirisë, komunistët nuk duhej të mbeteshin peng të së kaluarës, por të ndërtonin “qytetin e së ardhmes”.
Ky sistem mendimi funksionoi për dekada dhe ndikoi fuqishëm kulturën dhe politikën italiane deri në vitet ’80.
Por më pas ndryshoi vetë struktura ekonomike dhe shoqërore e Perëndimit. Subjekti qendror i Gramshit, proletariati industrial, nisi të shpërbëhej. Bota e punës u bë më e fragmentuar, më individualiste dhe më pak e organizuar si klasë.
Gramshi kishte parë fordizmin dhe amerikanizmin, por nuk mund të parashikonte neoliberalizmin.
Megjithatë, edhe sot mbetet aktual një nga intuitat e tij më të forta: politika nuk mund të mbështetet vetëm te ekonomia dhe as te impulsi emocional apo improvizimi. Ajo kalon gjithmonë përmes kulturës, mënyrës si formohen subjektet politike dhe aftësisë për të ndërtuar një vizion të përgjithshëm të realitetit, atë që sot shpesh quhet “narrativë”. /Përshtatur nga "Corriere Della Sera"
N D E R S H M E R I A eshte politika, qe te vehtja, familja e shoqeria. Librat me mijera faqe, gazeta, politiqene e cfaredo jane vetem dengla. Pse cdo femije adhurohet sepse eshte i paster, kaq.