Një udhëtim emocional nga delikatesa e belcantos drejt fuqisë dramatike të verizmit do të vijë për publikun artdashës në mbrëmjen koncertore “MALINCONIA”, që do të ngjitet më 18 mars në skenën e Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Protagoniste të kësaj mbrëmjeje do të jenë sopranoja Simona Karafili dhe pianistja Etrita Ibrahimi, dy artiste të TKOBAP-së, të cilat do të sjellin një program vokal-instrumental të konceptuar si një rrëfim i mirëfilltë emocionesh.
Koncerti është ndërtuar si një dialog i ndjerë mes zërit dhe pianos, ku çdo frazë muzikore shndërrohet në histori, çdo nuancë në ndjesi dhe çdo interpretim në përjetim të drejtpërdrejtë për publikun. Eleganca dhe finesa e belcantos hapin mbrëmjen, për t’i lënë më pas vend intensitetit dhe dramacitetit karakteristik të verizmit.
“MALINCONIA” synon të bashkojë stile, epoka dhe ndjeshmëri të ndryshme në një rrjedhë të vetme artistike, duke krijuar një hark emocional që lëviz nga ëndrra tek pasioni. Përmes këtij repertori, publiku do të ketë mundësinë të përjetojë kontrastin mes lehtësisë melodike dhe shpërthimit dramatik, në një interpretim që premton elegancë, thellësi dhe intensitet.
Mbrëmja e 18 marsit pritet të jetë një takim i veçantë me artin vokal dhe pianistik, në një format intim ku komunikimi mes artisteve dhe publikut bëhet edhe më i drejtpërdrejtë.
“MALINCONIA” nuk është thjesht një koncert, por një përvojë emocionale që fton artdashësit të udhëtojnë përmes muzikës – nga brishtësia tek forca, nga meditimi tek pasioni.
Mos mungoni në skenën e TKOBAP-së!
Lini një Përgjigje