TAGS-AT E JAVËS

Kulture 1 Mars 2026, 14:07

Letër publike/ Për Ninullat që nuk këndohen më, në këtë fillim pranvere

Shkruar nga Prof. Mimoza Manxhari
Letër publike/ Për Ninullat që nuk këndohen më,
Foto Ilustruese

Nëse sot, nuk ruajmë natyralitetin e një fëmije, atë të qeshurën e çiltër, atë besimin instinktiv, atë dritën e papërlyer, atëherë mos u çuditni nesër kur bota të bëhet më e ashpër.

Sot, kur pranvera pafajësisht trokiti butë dhe ajri mban aromën e një fillimi të ri, zemra ime nuk mund të ndalet vetëm tek lulëzimi i pemëve. Ajo shkon diku tjetër. Shkon tek fëmijët.

Këto ditë, në skenën e Sanremos, zëri i Ermal Metës solli një ninullë që dukej e butë si dritë hëne, 'Stella Stellina'. Por nën atë butësi pulsonte një e vërtetë që dhemb: buzëqeshja e fëmijëve po zbehet para kohe. Dhe sot, më së shumti flitet për gjithçka, përveç kësaj!

Unë vetë nuk dua të marr anë, as të hyj në kampet e zhurmshme të mendimeve.

Dua vetëm të them diçka që është më e vjetër se çdo ideologji:

Fëmijët nuk janë terren lufte. Ata janë fillimi i jetës.

Kur një fëmijë rritet me frikë, me sirena, me britma, me armë që hapin zjarr në vendet ku duhet të lozë, ëndërrojë, mësojë, atëherë diçka shumë e thellë është thyer brenda nesh si shoqëri.

E pamë së fundmi edhe në Iran, ku dikush, me një lëvizje të ftohtë, vendosib të hapë zjarr në një vend që duhej të ishte strehë rritjeje. Sa lehtë merret një vendim i tillë, por sa e gjatë është hija që lë në shpirtin e një fëmije!

Unë jam profesoreshë. Kam parë sy që ndriçojnë kur kuptojnë diçka për herë të parë. Kam parë buzëqeshje që lindin nga një fjali a veprim i drejtë, nga një ndjenjë sigurie. Sikundër kam parë edhe lodhjet e parakohshme në sytë e të rinjve, që mbajnë mbi supe më shumë se ç’duhet!

Pranvera nuk është vetëm cikël natyre. Është kujtesë dhe kujdes. Na kujton se çdo filiz i ri ka nevojë për përkujdesje dhe mbrojtje. Se çdo jetë e vogël kërkon hapësirë për të çelur.

Nëse sot, nuk ruajmë natyralitetin e një fëmije, atë të qeshurën e çiltër, atë besimin instinktiv, atë dritën e papërlyer, atëherë mos u çuditni nesër kur bota të bëhet më e ashpër.

Shumë dëshirojmë që kjo pranverë të mos jetë vetëm një stinë që ikën e vjen. Le të jetë një kthesë e rëndësishme në natyrën njerêzore- të flasim më pak për pozicione e të kujdesemi më shumë për fëmijët, pasi e përsëris, çdo buzëqeshje e shpëtuar sot është një paqe e mundshme nesër.

Le ta bëjmë këtë stinë si një këngë jete, jo vetëm me nota të bukura, por me përgjegjësi të ndjerë.
Kjo pranverë, që u zymtësua nga tymi i goditjeve në Lindjen e Mesme, qoftë e fundit që nis si e tillë. Ndërgjegjja dhe obligimi prindëror i çdo fëmije të lindur dhe atyre që do vijnë, është të ruajë shpirtin pranveror të çeljes së natyrës dhe jetës.

Le të mjaftohemi me ruajtjen e vetëm një tingulli: atë të një oborri shkolle në pranverë, mbushur me zëra që buçasin pa frikë, hapa që lodrojnë dhe qeshje që s’rreshtin.

Nëse këtë tingull e ruajmë, diçka thelbësore ka mbetur tek ne. 

ninullat mimoza manxhari

Lini një Përgjigje