
“Shkodra Elektronike” solli vërtet risi në Festivalin e ’63-të dhe pritet të përfaqësojë Shqipërinë në garën e “Eurovision”.
Në Festivalin e Këngës në RTSH, “Zjerm” triumfoi, duke siguruar biletën për në kompeticionin prestigjioz.
Kënga ritmike me përplot nuanca folklori e roku vjen nga një grup që nuk ishte shumë i njohur për masën.
Ajo që bie në sy është edhe përfaqësimi interesant i grupit, me logon që i përngjan pamjes nga lart të objektit të Spitalit Psikiatrik në qytetin e Shkodrës.


Vet anëtarët e grupit: Kolë Laca dhe Beatriçe Gjergji janë shkodranë emigrantë në Itali, andaj edhe këngët e tyre janë kryesisht me motive shkodrane.
I kontaktuar nga ‘Pamfleti’, Olsi, menaxheri i grupit nuk e mohon që logoja është planimetria e Spitalit Psikiatrik dhe për këtë ‘bën fajtor’ artistin multidisiplinor, Lek Gjeloshi.
Ai refuzon të tregojë nëse është një formë marketingu, madje gjetje (përderisa flitet për këtë gjë), ka një mesazh për të përcjellë, apo fshihet diçka më e madhe. Madje na adreson tek Lek Gjeloshi, pasi sipas menaxherit ‘Punët janë të ndara në grup’ dhe kështu, ky i fundit mbetet pa u informuar me një detaj ‘kaq të vogël’.
Gjithsesi, teoritë konspirative kanë të bëjnë edhe me një tjetër aspekt. Thuhet se vendi i parë i ishte premtuar Elvana Gjatës, por ja që ‘fati donte të ishte’ me grupin fitues, duke qenë se në krye të eventit, kësaj radhe ishte Elhaida Dani, edhe ajo një vajzë nga Shkodra.
Gjithsesi, i urojmë shumë suksese ‘Zjerm’-it në Eurovision! /Pamfleti
Lini një Përgjigje