TAGS-AT E JAVËS

Kulture19 Nëntor 2024, 14:42

Dorëshkrimi i mjekut të Enverit: Kurimi i Nexhmijes nga depresioni nervor ishte puna me e tmerrshme e karrierës time

Shkruar nga Afrim Imaj

 

Dorëshkrimi i mjekut të Enverit: Kurimi i Nexhmijes nga depresioni
Nexhmije Hoxha /

I rezervuar të shpreh hapur huqet e pacientes VIP, doktorit që i dhembte koka kur e kërkonin ta vizitonte, e ka përmbledhur në tri fjalë profilin e saj: Megallomane, shpërfillëse, perverse!

Pjesa e Dytë

Vijon nga Pjesa e Parë

“Sa herë më lajmëronin se ishte sëmurë shoqja N., më fillonte dhembja e kokës. Ishte tmerrësisht e vështirë të komunikoje me të. Ca më tepër në kushtet mjek-pacient...” Në kujtimet e profesor Hoxhës për gruan e njeriut më të fuqishëm të Shqipërisë komuniste, bie në sy një rebelim i brendshëm, që hera - herës shpërthen në neveri. Aq problematike kanë qenë marrëdhëniet midis tyre, saqë mjeku veteran i klinikës së udhëheqjes nuk denjon t’i citojë as emrin, por e përmend shkurtazi shoqja N. Qasja në këtë rast, sipas shënimeve të profesorit të dëgjuar, nuk ka të bëjë me qejf mbetjet e zakonshme, por me sjelljet brutale dhe mungesën e mirënjohjes së gruas së hekurt, që mendonte se ishte e mbinatyrshme. I rezervuar të shpreh hapur huqet e pacientes VIP, doktorit që i dhembte koka kur e kërkonin ta vizitonte, e ka përmbledhur në tri fjalë profilin e saj: Megallomane, shpërfillëse, perverse! Përtej kësaj konsiderate, dorëshkrimi në fjalë përmban me dhjetëra ngjarje, që zbulojnë anët e padukshme të manive e veseve të “Shoqes N.” Nga pozicioni i mjekut të familjes, Profesor Hoxha, zbardh për herë të parë një fakt të padëgjuar: Nexhmije Hoxha për një kohë të gjatë ka pasur probleme serioze nga depresioni nervor. “Bashkë me kolegët, shkruan ai, bëmë të pamundurën për ta rikthyer në normalitet, po nuk dëgjuam kurrë një fjalë të ngrohtë nga goja e saj. Përkundrazi, shoqja N., vend e pa vend ia atribuonte këtë mjekëve të huaj”. Mjeku i Enverit shton se fillimisht Nexhmije Hoxha u ekzaminua në Paris, por mjekimi nuk rezultoi efektiv dhe ajo mundi të ri ngrihej falë ndërhyrjes së një ekipi të specializuar vendas. Kur shoqja N. filloi punë, shkruan profesor Hoxha, u thoshte të njohurve të saj, se po të mos ishte doktor Milezi, do ishte çmendur fare...

Klinika më gjysmoi jetën

21 shtator 1983/Erdha në Paris për të operuar syrin. Kohët e fundit kam pasur një kompleks sëmundjesh, në përgjithësi ndjehem shumë i lodhur dhe hera herës i këputur. E kisha parashikuar të operohesha në Shqipëri, në datën 22 apo 23 shtator, për të pasur afër Verën (bashkëshorten-shënim i red.), megjithëse këtu në Paris kam mjaft shokë të mirë, që interesohen shumë për mua. Këtu erdha me sugjerimin e Enverit. Ai sa mori vesh gjendjen time (nuk e di nga Sulua apo Isuf Kalua), urdhëroi të më sillnin në Francë. Teksa pres të më operojnë, rri e mendoj për vitet që lash pas. Kur të kthehem në Tiranë kam vendosur të largohem nga klinika speciale. Sa isha i ri, isha menduar kaq herë të ikja nga klinika e udhëheqjes, duke pranuar madje dhe transferimin nga Tirana për të punuar i qetë në një qytet tjetër në periferi, ku të rregulloja e të interesohesha nga afër për fëmijët, të cilët për shkak të telasheve e presioneve që unë kam pasur në detyrë, i kam neglizhuar në kohën që kishin nevojë për kujdesin dhe dashurinë e prindit. E vërteta është se i kam torturuar ata, jam sjellë brutalisht dhe aktualisht ndjej përgjegjësi të madhe për pasojat që kanë pasur, sidomos në sistemin e tyre nervor. Kjo ngarkesë e tension i përditshëm ka ndikuar që t’i prishja jetën sidomos Agronit (djalit të madh), i cili ishte aq i mirë, aq i zgjuar, aq i dashur dhe aq i ndjeshëm. Ai u sëmurë dhe u shua krejt pa pritur, duke më lënë një peng të madh në shpirt. Puna në klinikë ka qenë e jashtëzakonshme. Aty të kërkojnë të jesh në këmbë e i angazhuar “non stop” me problemet e shëndetit të shokëve të udhëheqjes. Madje jo vetëm të tyre, por të krejt familjarëve e të fisit të tyre. Askush prej këtyre që u shërbejmë ditë e natë nuk mendon se dhe ne kemi familje e fëmijë. Deri diku interesohet shoku Enver, aq sa ka mundësi, por të tjerët, sidomos gratë dhe fëmijët e tyre, as duan t’ia dinë. Një qëndrim krejt të ftohtë mban sidomos shoqja N. (Nexhmije Hoxha-shënim i red.) Asaj jo vetëm që i mungon sensi i mirënjohjes, por gjatë gjithë kohës shfaqet e pakënaqur e hera herës dhe dyshuese. Sjellja e saj, kjo mënyrë reagimi, të vret...

Shoqja N.

Shoqja Nexhmije më ka dhënë të kuptoj se ajo nuk ka shumë besim në besnikërinë time ndaj shokut Enver. Pra, nuk beson as në shërbimin tim profesional e human. Kjo më brengos. Me qëndrimet që mban shoqja N.(nuk kam dëshirë t’ia përmend emrin e plotë) më ka lënë të kuptoj se për të mbetem i dyshimtë, megjithëse e di fort mirë predispozicionin dhe përkushtimin tim për të diktuar, sinjalizuar dhe mjekuar me shumë kujdes e besnikëri jo vetëm shokun Enver, por gjithë familjen e tij, bile edhe vetë shoqen N. kur ka qenë në gjendje shumë të rëndë në vitet 1965-1966. Një depresion nervor e kishte pllakosur. Mjeku nuk bën mirë të demonstrojë sjelljen e pacientit, sidomos në rrethanat e një diagnoze të tillë. Fillimisht e çuam për t’u diagnostikuar në Paris. Drejtpërdrejt me ekzaminimin e saj u mor profesor Milezi, por terapia që i përshkroi ai, nuk i dha asnjë rezultat kur u kthyem në Shqipëri. Në Tiranë u mora nga afër me mjekimin e saj disa muaj me radhë. Me ndihmën dhe bashkëpunimin e profesor Gjatës, që ishte njëri nga psikiatrit më të aftë në vend, e ngritëm në këmbë dhe pas një farë kohe, shoqja N. filloi punën normalisht. Gjithsesi, ajo fund e krye ka pasur idenë, sikur e shëroi doktor Milezi. Në fakt, kur konstatova që pas tre muajsh terapia e tij nuk dha rezultat, bashkë me profesor Gjatën i ndërruam krejt mjekimin, duke e njoftuar shoqen N. se këtë e bënim me porosinë dhe rekomandimin e profesor Milezit, pasi tek ai ajo kishte besim. Kur u përmirësua dhe filloi punë, diku pas tre muajsh, duke komunikuar me profesor Milezin, i tregova procedurën që kishim ndjekur me mjekimin e radhës, gjoja me këshillën e tij. Aty për aty ai më tha se kishim bërë shumë mirë. Rëndësi për të kishte fakti që shoqja N. ishte bërë mirë. E vërteta është se difidenca dhe një lloj përbuzje e saj ndaj meje, më ka dëshpëruar disa herë. Ndër të tjera, ky fakt më bënte të mendoja si e si të largohesha një ditë e më parë nga këto rrethana të vështira që ishin vendosur në shërbimin pranë Enverit dhe familjes së tij.

Mjekimi i nënës së Nexhmijes

E shtunë 21 korrik 1979/Më lajmërojnë se nëna e shoqes Nexhmije Hoxha është sëmurë. Një ditë më parë atë e kishte vizituar një mjek i klinikës speciale dhe i kishte dhënë mjekimet përkatëse, por gjendja ishte përkeqësuar. Ajo vuante nga një insuf. cardoi- respiratore dhe mbahej në kurim spitalor. Periodikisht dilte nga spitali dhe mjekohej në shtëpi. Kjo diagnozë pak a shumë ishte vendosur nën kontrollin e mjekëve dhe deri diku i kishte dhënë efektet. Shqetësuese mbetej diagnoza tjetër: Depresioni nervor i theksuar. Prej tij ajo kishte vite që vuante. Këtë radhë sëmundjen ia kishte ngacmuar edhe fakti që kishte mbetur vetëm në shtëpi. Shoqja N. me komandantin kishin shkuar në Pogradec. Fëmijët, të gjithë pushonin në Durrës. Edhe Femiu me familjen e vet kishte shkuar me pushime. E mbetur në vetmi, plaka trembej se mos vdiste pa i parë dhe kjo e terrorizonte jashtë mase. Sëmundja ishte acaruar shumë dhe plaka gati ishte shpërfytyruar. Shkova menjëherë. E gjeta të traumatizuar e gati inkoshiente.

Antidepresivët me doza të vogla që përdorte prej vitesh, tashmë nuk i jepnin më efekt. Të rrisnim sasinë e tyre, ishte e pamundur për efektet anësore që mund të jepnin në diagnozat e tjera, të cilat kishte. Psikoterapia ishte pa dobi dhe në gjendjen që ishte as që bëhej fjalë ushtrimi i saj. Duhej vetëm t’i rrija në kokë. Ca më tepër që ishte dhe vetëm në shtëpi. Situatën e rëndonte dhe më tepër skleroza dhe mungesa e kontrollit gjatë veprimeve që kryente.Në këto kushte qëndrova me të deri sa erdhi shoqja N. nga Pogradeci, megjithëse unë nuk e kisha lajmëruar. Me sa dukej e kishin lajmëruar fëmijët që ishin në Durrës. Çuditërisht, N. nuk komunikoi asnjë fjalë. Si gjithnjë shpërfillëse, e akullt dhe dyshuese. Vija e sjelljes së saj mbetet konstante. Nuk pres mirënjohje nga ajo, por së paku një përshëndetje, një fjalë njerëzore, nuk ka pse t’i mungojë. E bën për vete! Gjithsesi, nuk kam kohë të merrem me shoqen N. 

Fantazma “Mihallaq Ziçishti”

Mihallaq Ziçishtin e kam fiksuar në kujtesë si një fantazim. Ai një periudhë të gjatë ka qenë zëvendësministër i Brendshëm dhe njëherazi kreu i Sigurimit të Shtetit. Ky pozicion me sa duket e detyronte që mbi të gjitha të garantonte sigurinë e mjekëve, të cilët kuronin udhëheqjen. Ishte kjo arsyeja që ai rrëmonte gjatë e me imtësi biografinë e gjithkujt, që punonte në klinikë. Unë e dija se për nga biografia kisha kleçkën e vjehrrit që kishte bërë 20 vjet burg dhe mundohesha të ruhesha, duke u treguar i përkushtuar në punë e shumë i kujdesshëm në komunikim. Sidoqoftë, Ziçishti orë e çast nuk e shkëpuste syrin e vigjilencës në veprimet e mia. Mjaft herë, me ndërhyrjen drejtpërdrejtë të tij jam përjashtuar nga shumë konsulta të rëndësishme, që kishin të bënin me shëndetin e udhëheqësve të lartë dhe diplomatëve rezidentë në Tiranë. Për ironi të fatit ndodhi që një ditë, ky Mihallaqi “besnik” e “vigjilent”, të kryqëzohej se kishte bashkëpunuar me Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin, Feçor Shehun e Llambi Ziçishtin, për të zhdukur Enver Hoxhën. Madje u fol se kishte qenë dirigjenti kryesor i këtij grupi armiqësor. Kur gjykata konfirmoi “fajësinë” e grupit, çuditërisht Mihallaq Ziçishtin e dënoni më pak nga të gjithë, ndërkohë që të tjerët u pushkatuan. Të befasuar nga kjo, shumëkush filloi të pyesë në heshtje. Dikush guxoi e pyeti drejtpërdrejt Ramiz Alinë. Kam qenë i pranishëm kur Ramizi iu përgjigj se Mihallaq Ziçishti i duhet dhe më tej pushtetit për shërbimet e tij(!) Se çfarë nënkuptonte kjo, askush nuk mund ta mendonte. Në fakt nuk kishte çfarë të mendonte, pasi arsyeja e vërtetë ishte tjetërkund: Mihallaq Ziçishti ishte baxhanak i Luan Omarit, nipit të Enverit dhe si i tillë duhej ruajtur, së paku për mos të kaluar në plumb!

Mjeku që do Mehmeti dhe sigurimi

Ibrahim D. është mjeku më i besuar i udhëheqjes. Ai që nga koha e luftës ka shërbyer me drejtuesit kryesorë. Mehmet Shehu është miku i ngushtë i tij, me lidhje të hershme. Unë jam një nga kolegët që e njoh që në rininë studentore. Të them të drejtën, asnjëherë nuk kam pasur respekt për të. Jam dëshmitar i shumë kusureve të tij. Madje jo vetëm atyre profesionale, pasi ai nuk u shqua kurrë si mjek, por edhe i kusureve njerëzore. Nga moria e tyre më është fiksuar një episod i periudhës së luftës. Gjatë një tërheqje të shpejtë në Mat drejt Martaneshit, doktor Ibrahimi vinte prapa me grupin e partizanëve të sëmurë. Ikja bëhej me nxitim të madh, se gjermanët na ndiqnin këmba - këmbës. Një partizan i plagosur lehtë, por i dobësuar nga gjaku që kishte humbur dhe mungesa e ushqimit, nuk e ndiqte dot tërheqjen. Doktori e urdhëronte të ecte, por atij një moment ju prerë këmbët. Atëherë ai (doktori) nxori koburen dhe e qëlloi në trup. E la aty dhe u largua. Kur mbërriti në shtab, u thirr për të dhënë llogari për partizanin që kishte pushkatuar. Rregullorja përkatëse për raste të tilla e detyronte mjekun ta merrte në krahë dhe në asnjë mënyrë ta linte në duart e okupatorit. Ibrahimi kishte zgjedhur rrugën më të lehtë, i kishte dhënë plumbin dhe kishte vazhduar rrugën. Ngjarjen për eprorët fillimisht e tregoi një nga partizanët e sëmurë, i cili kishte parë me sy skenën e tmerrshme. Pse e bëre këtë, e pyetën në shtabin e brigadës. Ibrahimi u justifikua se nuk donte ta linte të gjallë në duart e gjermanëve. Të pranishmit nuk u bindën nga ky argument dhe kërkuan të dënohej. Për të tilla veprime mjeku pushkatohej. Po Ibrahimi, si miku i Mehmetit, e kaloi pa u lagur. Mjaftoi një kritikë dhe vazhdoi në detyrën e tij. Për ironi të fatit, ndodhi që partizani fatkeq, i pushkatuar nga doktori, kishte shpëtuar. E kishte gjetur duke dhënë shpirt një fshatar dhe e kishte marrë në shtëpi. Aty e kishte mjekuar dhe ishte bërë mirë. Pas ca javësh u paraqit në brigadë i shëruar. Kjo e tërboi doktorin vrasës. Megjithatë, si pehlivan që ishte, shkoi e përqafoi dhe i kërkoi të falur. Pikërisht, pse dija mjaft nga këto detaje nga jeta e Ibrahim D., ai nuk la gjë pa bërë duke më përballur tinëzisht me oficerët e sigurimit, si e si të më shpallte të pabesueshëm për mjekimin e udhëheqjes. Ai ishte shkaku kryesor i mjaft përplasjeve me Mihallaq Ziçishtin dhe Kadri Hazbinë. M’u desh të jem i duruar dhe i kujdesshëm për të përballuar me dinjitet çdo prapaskenë të sajuar. Megjithatë, investimi i doktorit vrasës e intrigant kundër meje, nuk mbeti pa lënë gjurmë…/Pamfleti

mjeku i enverit nexhmije hoxha depresioni nervor

Lini një Përgjigje