
Për herë të parë shfaqen në një ekspozitë dorëshkrimet e shkrimtarit, Ismail Kadare.
Janë mbi 44 mijë dokumente, ku përfshihen romane të pabotuara, poezi dhe skica, që përshkruajnë një jetë krijimi që në moshën 11-vjeçare dhe deri në fund të jetës.
Besjana Kadare, vajza e gjeniut të letrave e quajti të atin udhërrëfyes për kombin.
“Është një ndjesi e veçantë që ti shikoj sot këtu, sepse përmbajnë një trashëgimi shumë të vyer e gati të shenjtë të trashëgimisë kulturore dhe të identitetit kombëtar”, tha Besiana Kadare.
Kjo ekspozitë vjen si bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, drejtori i së cilës, Ardit Bido u shpreh se Ismail Kadare ishte një shkrimtar që gjithë veprën e tij ngre lart shqiptarinë, një element që e gjen në vazhdimësi në veprën e tij.
Pas digjitalizimit këto dorëshkrime do të kalojnë në procesin e përpunimit dhe të restaurimit për t’u dhënë brezave mundësinë e depërtimit në labirintin e mendimit të Kadaresë.
Kjo ekspozitë përbën mundësi të rrallë për të eksploruar botën e panjohur të Kadaresë: veprat dhe shënimet që ndriçojnë procesin e tij krijues. Çdo faqe dorëshkrimi është një udhëtim në mendimin dhe artin e tij, ku secila ide dhe reflektim shpërfaqet në mënyra të reja e të befasishme.
Mes dokumenteve të ekspozuara, publiku do të mund të shohë nga pranë fragmente nga romani i parë i pabotuar i Kadaresë, “Tri shokët”, shkruar në moshën 11-vjeçare, si edhe të bjerë në gjurmët e vokacionit të tij për letërsinë ndikuar nga vepra shekspiriane, nëpërmjet dorëshkrimit të sprovës letrare “Hamleti, princi i vështirë”.
Pjesë e ekspozitës janë po ashtu:
-Dorëshkrimi i romanit të parë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, i cili pati jehonë ndërkombëtare të pafrerë;
-Dorëshkrimet e romaneve më të lakuara dhe polemike, “Dimri i vetmisë së madhe”, “Nëpunësi i Pallatit të Ëndrrave” dhe “Përbindëshi”;
-Dorëshkrimet e dramës “Stinë e mërzitshme në Olimp” dhe të sprovës letrare “Dantë i pashmangshëm”, ku narrativa përcillet mes mitit dhe bashkëkohësisë;
-Dorëshkrimet e romaneve “Prilli i thyer” dhe “Kush e solli Doruntinën”, që portretizojnë Shqipërinë zakonore;
-Dorëshkrimet e romaneve “Piramida” dhe “Qorrfermani”, që paraqesin alegorinë e një sistemi totalitar;
-Dorëshkrimi i librit “Ra ky mort e u pamë”, shkruar në formën e një ditari mbi Kosovën;
-Dorëshkrimet e romanit “Lulet e ftohta të marsit” dhe të sprovës letrare “Mosmarrëveshja”, të cilat ravijëzojnë Shqipërinë përballë vetes.
Prej këtij fondi të rrallë dokumentesh, janë evidentuar edhe dorëshkrimet e veprave “Spiritus”, “Ftesë në studio”, “Darka e gabuar”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “E penguara” (Requiem për Linda B.), “Jeta, vepra dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Hijet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”. Në këtë korpus materialesh, nuk mungojnë vlerësimet me çmimet dhe titujt “Komandant i Legjionit të Nderit”, “Oficer i Madh i Legjionit të Nderit”, “Princi i Asturias”, “Çmimi i karrierës” dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, si edhe dekreti për dhënien e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës.
“Dorëshkrimet e Kadaresë” do të qëndrojë e hapur për të gjithë të interesuarit pranë COD-it deri në datë 18 nëntor. Dokumentet nga krijimtaria e ngjeshur e shkrimtarit, u dorëzuan pranë DPA-së në shtator të këtij viti, në kuadër të një marrëveshje të nënshkruar me familjen Kadare.
Lini një Përgjigje