
Një 63-vjeçar ka rënë në prangat e policisw pas zbulimit të një ambienti të përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike në banesën e tij, në fshatin Vadhizë të Fierit.
Gjatë kontrollit, policia gjeti dhe sekuestroi dhjetëra bimë dhe fidanë kanabisi, lëndë narkotike të përpunuar, qindra fara kanabisi, si dhe pajisje të shumta elektrike të përdorura për ndriçim dhe ngrohje.
Energjia për funksionimin e këtyre pajisjeve ishte siguruar përmes një lidhjeje të paligjshme, çka çoi në arrestimin edhe të një punonjësi të OSHEE-së, i dyshuar për shpërdorim detyre dhe favorizim të aktivitetit kriminal.
"Në fshatin Vadhizë të Fierit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike, ku për përdorimin e llambave dhe pajisjeve të tjera elektrike u përdor një lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Gjatë kontrollit të banesës u sekuestruan 41 bimë kanabis sativa, 57 fidanë të bimëve narkotike, një sasi lënde narkotike të përpunuar, 784 fara kanabisi, si dhe pajisje të ndryshme elektrike për ndriçim dhe ngrohje, përfshirë panele elektrike, llamba, ventilatorë dhe aspiratorë.
Në këtë operacion u arrestua pronari i banesës, 63-vjeçari I. G., i cili kishte organizuar kultivimin në ambientet e tij, si dhe një punonjës i OSHEE-së, 61-vjeçari R. M., për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se ka favorizuar veprimtarinë kriminale duke mos evidentuar lidhjen e paligjshme të energjisë.
Materialet e mbledhura iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme ligjore", njofton policia.
Lini një Përgjigje