TAGS-AT E JAVËS

Kronike25 Maj 2025, 19:28

Aksident tragjik në Gjermani/ Furgoni me 9 persona del nga rruga dhe përmbyset, humbin jetën 3 shqiptarë; disa të tjerë të plagosur

Shkruar nga Pamfleti
Aksident tragjik në Gjermani/ Furgoni me 9 persona del nga rruga dhe
Pamje nga aksidenti i rëndë

3 shqiptarë humbën jetën, ndërsa 6 të tjerë mbetën të plagosur nga aksidenti i rëndë në Gjermani.

Një aksident i rëndë ka ndodhur në Gjermani, ku si pasojë kanë humbur jetën 3 shqiptarë, ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Sipas mediave gjermane, gjatë kthimit nga një festë familjare në orët e para të mëngjesit, furgoni me gjithsej nëntë pasagjerë doli nga rruga për arsye që fillimisht ishin të paqarta dhe u përmbys disa herë.

Sipas hetimit, personat kishin qenë në një festë familjare në Hesse. Makina drejtohej nga një 22-vjeçar dhe sipas policisë, deri të dielën pasdite, nuk kishte prova që shoferi ishte nën ndikimin e alkoolit ose drogës.

“Është një aksident shumë, shumë i tmerrshëm”, tha një zëdhënës i policisë në Koblenz të dielën në mëngjes. Aksidenti ndodhi rreth orës 3:05 të mëngjesit në rrugën drejt Trierit në zonën e Bassenheim (distrikti Mayen-Koblenz).

Sipas raportimeve, të vdekurit janë një burrë 53-vjeçar dhe dy gra të moshës 47 dhe 65 vjeç. Gjashtë personat e tjerë thuhet se janë të moshës midis 20 dhe 66 vjeç. Ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Autostrada u rihap këtë mëngjes pasi qëndroi e mbyllur për më shumë se katër orë, tha një zëdhënëse e policisë së autostradave.

Aksident tragjik në Gjermani/ Furgoni me 9 persona del nga rruga dhe

Përveç rreth një duzine automjetesh të shërbimit të emergjencës, në vendngjarje ishin edhe deri në shtatë makina patrullimi policie. Sipas kreut të operacioneve, në vendin e aksidentit ndodhej edhe zjarrfikësja me pesë automjete.

Vdekja e shqiptarëve u konfirmua edhe nga ministria jonë e Jashtme. Ajo bën me dije se është informuar nga autoritetet gjermane për këtë aksident të rëndë rrugor.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është informuar nga autoritetet gjermane për një aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 25 maj, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë.

Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale.

Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe uron shërim të plotë për të plagosurit. Strukturat tona konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës. Për çdo informacion shtesë, lutemi të kontaktoni në: +49 1523 79 13 997", njoftoi Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Lini një Përgjigje