Policia ka zbardhur dinamikën e plagosjes me armë zjarri të 28-vjeçarit në plazhin e Hamallajt, pas një sherri për vendparkimin.
Policia ka reaguar lidhur me plagosjen e djeshme në Hamallaj, Durrës duke zbardhur detaje lidhur me ngjarjen.
Mësohet se 2 persona janë arrestuar, konkretisht Alfons Lekgegaj 37 vjeç dhe Armen Sabliqi 18 vjeç ndërsa në kërkim u shpallën Altin Lekgegaj 44 vjeç dhe Serxho Lekgegaj 21 vjeç.
Sherri për vendin e parkimit degradoi në dhunë fizike dhe më pas në përdorimin e armës së zjarrit. 28-vjeçari Liridon Rada u plagos me armë zjarri nga 44-vjeçari Altin Lekgegaj, i cili ka marrë plagë rënda në shpatull dhe brinjë.
Sipas policisë, 37 vjeçari Alfons Lekgegaj, në bashkëpunim me vëllanë e tij Altin Lekgegaj, si dhe nipin Serxho Lekgegaj, pas një konflikti për motive të dobëta me Liridon Radën, që lidhej me parkimin e automjetit përpara zonës së plazhit 37-vjeçarit, konflikt i cili fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas duke përdorur armë zjarri që e mbante pa leje. Ky i fundit ka tentuar të vrasë 28-vjeçarin Rada, banues në Kolesjan, Kukës.
Nga të shtënat, 28-vjeçari është plagosur rëndë dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërsa gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit të arrestuar Armen Sabliqi 18 vjeç, u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale dy thika, të cilat i mbante pa leje.
“Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur në Hamallaj, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 28-vjeçar, gjatë një konflikti me sende të forta e më pas me armë zjarri, për parkimin e një automjeti.
Vihen në pranga dy shtetas dhe shpallen në kërkim dy të tjerë.
Sekuestrohen dy armë të ftohta (thika) dhe prova shkencore që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të autorësisë së ngjarjes.
Nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Hamallaj, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
A. L., 37 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
A. S., 18 vjeç, banues në Borakë, Shijak, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit:
A. L., 44 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
S. L., 21 vjeç, banues në Hamallë, Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”.
Nga veprimet e para hetimore rezultoi se më datë 20.08.2025, rreth orës 17:00, në fshatin Hamallë Sektor, Njësia Sukth, Durrës, në zonën e bregut të detit Adriatik, shtetasi A. L., 37 vjeç, në bashkëpunim me vëllanë e tij A. L., 44 vjeç, si dhe nipin e tij S. L., pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasin L. R., që lidhej me parkimin e automjetit përpara zonës së plazhit të A. L., 37 vjeç, konflikt i cili fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas duke përdorur armë zjarri që e mbante pa leje, ka tentuar të vrasë shtetasin L. R., 28 vjeç, banues në Kolesjan, Kukës.
Nga të shtënat, 28-vjeçari ka pësuar dëmtime shëndetësore dhe ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, u gjetën sende të forta si bishta druri të përdorur në konflikt.
Në vijim të punës për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarve, gjatë kontrollit në lokalin e shtetasit të arrestuar A. S., u gjetën dhe u sekuestruan si prova materiale dy thika, të cilat ai i mbante pa leje.
Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e të dyshuarve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës”, njoftoi policia.
Lini një Përgjigje