TAGS-AT E JAVËS

Kronike30 Tetor 2024, 16:46

Zbardhet atentati në Shkodër, vritet vëllai i Ibrahim Licit dhe plagoset djali i Xhemal Bushatit; viktimë edhe një kalimtare rasti

Shkruar nga Pamfleti
Zbardhet atentati në Shkodër, vritet vëllai i Ibrahim Licit dhe
Atentati në Shkodër

Policia ka rrethuar zonën dhe po bëhen verifikime për të identifikuar autorët.

Zbardhen detaje nga atentatit në Shkodër me 2 të vdekur dhe 2 të plagosur. Sipas informacioneve, persona të armatosur i kanë bërë pritë një automjeti tip “Mercedes” me targa kroate, pranë rrethrrotullimit te “5 Heronjtë e Vigut”.

Në automjet ndodheshin dy persona, të identifikuar si Hamza Lici dhe Arlind Bushati. Hamza Lici është vëllai i Ibrahim Licit, i cili ka mbetur i vdekur në vend. Ndërkohë Arlind Bushati është djali i Xhemal Bushatit, kandidat për kryetar bashkie në zgjedhjet e pjeshme në Shkodër. Ai ka mbetur i plagosur rëndë.

Ndërkohë nga të shtënat e kanë pësuar një çift bashkëshortësh që kanë qenë duke lëvizur në rrugë me motor kur nisën të shtënat. Njëri prej tyre ka mbetur i plagosur, ndërsa gruaja ka ndërruar jetë.

Policia ka rrethuar zonën dhe po bëhen verifikime për të identifikuar autorët.

Kush është Hamza Lici

Hamza Lici është një prej viktimave të atentatit në Shkodër. Ai ishte vëllai i Ibrahim Licit, të arrestuar në Turqi si i dyshuar për vrasjen e Endri Mustafës, por i liruar më pas.

Emri i Hamza Licit lidhet me ngjarje të bujshme në Shkodër. Ndërsa Endri Mustafa njihej si pjesëtar i grupit të Bajrave në Shkodër. Në familjet Lici dhe Bajri janë kryer një sërë vrasjesh.

Në gusht 2018 u ekzekutua me kallashnikov Fatbardh Lici, vëllai i Mustafa Licit.

Në mars 2019 u vranë në derë të shtëpisë Brahim dhe Astrit Bajri. Për krimin e dyfishtë u shpall në kërkim Ibrahim Lici, por vetëm në prill të vitit 2021, u hoq nga kërkimi për mungesë provash.

Fisi Lici ka qenë një ndër të atakuarit të paktën pesë vitet e fundit në Shkodër dhe të dyshuarit për një zinxhir krimesh dhe përplasjesh të përgjakshme për territor, biznese ilegale apo larje hesapesh dhe hasmëri.

Kërcënimi ndaj Arlind Bushatit

Arlind Bushati, i plagosuri sot, është djali i Xhemal Bushatit, ish-kandidati i Lulzim Bashës për Bashkinë e Shkodrës në zgjedhjet e pjeshme të 2022. Arlindi në fillim të këtij muaji ishte kërcënuar me armë.

Mësohet se persona të paidentifikuar që qarkullonin me motor dyshohet se i kanë drejtuar armën 32-vjeçarit afër një lokali në pedonalen e Shkodrës, ku ka pasur edhe shumë qytetarë të tjerë në lokal.

Dyshohet se arma ka qenë automatike, por nuk ka pasur të shtëna.  Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore.

“Më datë 11.10.2024, në orën 09:30, shtetasi A. B., 32 vjeç, ka kallëzuar se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:30, persona të paidentifikuar që qarkullonin me një motomjet, i kanë drejtuar një send, në dukje armë zjarri, afër një lokali në pedonalen e Shkodrës. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë kryer veprimet e para hetimore. Nga veprimet paraprake të kryera dhe informacionet e marra në rrugë operative, paraprakisht dyshohet për dy shtetas, por për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e rrethanave, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit”, tha policia në atë kohë.

Dyshimet janë se shënjestër sot ka qenë Hamza Lici, ndërsa Arlind Bushati ka mbetur rastësisht i plagosur. Ai është nip te fisi Lici. /Pamfleti

 

Lini një Përgjigje