TAGS-AT E JAVËS

Kronike14 Prill 2023, 12:38

Vrau Enton Nikën në 2015, si doli nga burgu kushëriri i Ervis Martinajt duke shfrytëzuar hapësirat në Kodin Penal 

Shkruar nga Pamfleti

Vrau Enton Nikën në 2015, si doli nga burgu kushëriri i Ervis

Emiljano Tasho, kushëriri i të zhdukurit Ervis Martinaj, është arrestuar nga policia dy ditë më parë në Tiranë, pasi i kishte marrë makinën një personi dhe nuk ia kishte kthyer. Arrestimi ka nxjerrë në pah skandalin e radhës së drejtësisë në Shqipëri, e cila vepron me ashpërsi ndaj të dobtëve, ndërsa favorizon dhe 'amniston' njerëz e krimit, duke shfrytëzuar edhe hapsirat në legjislacionin penal. Emiljano Tasho është akuzuar dhe dënuar me vendim të formës së prerë për vrasjen e Enton Nikës, në 11 nëntor 2015 në parkingun e lokal 'Muraga' në Linzë të Tiranës.

Fillimisht Tasho është dënuar nga Gjykata e Tiranës për vrasje me dashje me 15 vite burg, armëmbajtje pa leje 5 vite burg, vjedhje me dhunë me 7 vite burg dhe sërish për armëmbajtje pa leje 3 vite burg. Duke aplikuar nenin 55 të Kodit Penal, që parashikon bashkimin e dënimeve, gjykata e ka dënuar Emiljano Tashon me 24 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Tashos i është ulur 1/3 e dënimit, ku përfundimisht është dënuar me 16 vite burg. Vendimi është marrë në 4 maj 2016, pra 7 muaj pas vrasjes.

Në nëntor të viti 2016, në veprim ka hyrë Gjykata e Apelit, e cila i ka ulur dënimin Emiljano Tashos nga 24 vite në 21 vite burg. Dhe duke aplikuar gjykimin e shkurtuar, Gjykata e Apelit e ka dënuar Tashon përfundimisht me 14 vite burg. Vihet re që Prokuroria nuk e ka ankimuar as vendimin e shkallës së parë dhe as të apelit.

Ndërsa Emiljano Tasho nuk është pajtuar as me vendimin e Apelit, duke bërë rekurs në Gjykatën e Lartë. Në rekurs, Emiljano Tasho pretendon se nuk ka dashur ta vrarë Enton Nikën, por vrasja është bërë nga pakujdesia gjatë përleshjes në parkingun e lokal 'Muraga' në Linzë të Tiranës, në 11 nëntor 2015, se nuk është përfshirë në vjedhje me dhunë, se është penduar dhe se është i ri në moshë, ku më i nevojshëm është edukimi se sa ndëshkimi me burg.

Por me 24 janar 2022, Emiljano Tasho ka tërhequr rekursin nga Gjykata e Lartë, duke pranuar vendimin e Apelit. Gjykata e Lartë, më 22 prill 2022, ka vendosur mospranimin e rekursit të Tashos, pasi ky i fundit kishte hequr dorë nga rekursi. Mister mbetet fakti se si Tasho, i dënuar me 14 vite burg në 2016, ishte i lirë. 7 muaj paraburgim i llogariten me 1.5, pra rreth 10.5 muaj. Tasho është arrestuar pas vrasjes në nëntor 2015. Dënimit prej 14 vitesh, Emiljano Tasho ka arritur t'ia hedhë pas 7 vitesh, ndonëse ende nuk dihet data e lirimit dhe rrethanat, pasi mund të jetë liruar para vitit 2023./ Adriatik Doçi

Vrau Enton Nikën në 2015, si doli nga burgu kushëriri i Ervis

emiljano tasho ervis martinaj

Lini një Përgjigje