Pas 21 orësh kërkimesh ka marrë fund arratia e Lekë Vuksanit në Shkodër. Në një informacion për mediat, policia thotë se 34-vjeçari, i cili akuzohet se një ditë më parë ekzekutoi me armë zjarri Petrit Vuksanin, u vu në pranga falë bashkëpunimit të policisë së Shkodrës me forcat RENEA. Autoritetet po ashtu kanë mundur të sekuestrojnë edhe armën e krimit.
“Pas 21 orësh kërkime dhe ndjekje, Policia e Shkodrës, në bashkëpunim me Forcën Speciale RENEA, kap dhe vë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së 51-vjeçarit Petrit Vuksani. Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga shtetasi Lekë Vuksani, 34 vjeç, banues në Shkodër. Policia gjen dhe sekuestron armën e zjarrit automatik me të cilën dyshohet se autori kreu krimin. Ky shtetas dyshohet se rreth orës 12:15, të datës 02.05.2023, në lagjen “Tom Kola”, vrau me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin Petrit Vuksani 51 vjeç. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë.
51-vjeçar u vra dje në Shkodër. Petrit Vuksani ishte kthyer nga Anglia para një muaji, por gjeti vdekjen në banesën e tij. Shkak i vrasjes dyshohet të jetë bërë qiraja e shtëpisë që Petrit Vuksani ia kishte lënë të afërmit të tij, Lekë Vuksanit. Ngjarja është regjistruar rreth orës 12:15, në lagjen ‘Tom Kola’.
Lini një Përgjigje