TAGS-AT E JAVËS

Kronike28 Prill 2025, 09:38

Vrasja në Vlorë, merren në pyetje 10 persona; flet bashkëjetuesja e 58-vjeçarit

Shkruar nga Pamfleti

Vrasja në Vlorë, merren në pyetje 10 persona; flet

Vrasja e 58-vjeçarit Renato Hoxhaj ende vazhdon të mbetet e mbushur me mister. 24 orë pas ngjarjes, policia e Vlorës nuk ka asnjë detaj lidhur me autorin.

Menjëherë pas ngjarjes, janë marrë në pyetje rreth 10 persona. Ata kanë qenë kryesisht familjarë, të afërm të tij, komshinj dhe kolegë. Por dëshmitë e tyre në komisariatin e Vlorës nuk kanë dhënë ndonjë detaj të rëndësishëm, ndërsa thjesht kanë pohuar se viktima ishte një njeri pa probleme dhe nuk kishte pasur konflikte me askënd. Edhe nga banorët e zonës njihej si njeri pa probleme.

Ndërsa në dëshminë e saj, bashkëjetuesja ka treguar vetëm se si e ka gjetur të vrarë dhe ka njoftuar policinë. Askush nga banorët nuk ka parë personat që kanë kryer krimin.

58-vjeçari është goditur nga shumë pranë. Fillimisht në trup, për ta penalizuar që të mos lëvizte dhe më pas dy herë në kokë me armë zjarri, pistoletë. Momentalisht dyshohet se kemi të bëjmë vetëm me një person që ka kryer krimin. Ai ka hyrë nga një rrugicë pas pallatit ku 58-vjeçari punonte, duke i dalë këtij të fundit përballë. Nuk përjashtohet mundësia që personi që ka kryer krimin të jetë ndihmuar me informacione të bollshme rreth lëvizjeve dhe vendndodhjes së tij.

Pistat kryesore të hetimit janë konfliktet e mundshme së fundmi dhe përfshirja në ndonjë ngjarje. Dyshohet se autori ka lëvizur në këmbë dhe e njihte mirë terrenin dhe itinerarin. Mendohet të jetë larguar në një tjetër rrugicë, gjithashtu në errësirë të plotë dhe pa kamera sigurie, pas banesës së 58-vjeçarit, që të nxjerr në lagjen pranë. Janë sekuestruar DVR-të dhe dhjetëra kamera sigurie, të cilat po analizohen. Pritet të shihet nëse prej tyre do të nxirret ndonjë detaj.

58-vjeçari jetonte i vetëm në shtëpi. Ishte babai i dy fëmijëve të rritur. Gruaja e tij e parë jetonte në Itali dhe shpesh fëmijët vinin për ta takuar. Prej kohësh jetonte me një bashkëjetuese të dytë.

Në një intervistë për "Klan News", zonja Rakipaj është shprehur se në dijeninë e saj, 58-vjeçari nuk ka ndjerë kërcënim, e as nuk është përfshirë në ndonjë konflikt të mëparshëm. Rutina e tij ndryshoi kohët e fundit, pasi Hoxhaj nuk ka pasur një orar të rregullt të kthimit në shtëpi, apo të daljes nga banesa.

Çifti bashkëjetonte prej rreth 2 vitesh në shtëpinë e të ndjerit Hoxhaj. Bashkëjetuesja shprehet se prej gati 1 viti e gjysmë ai nuk punonte më si roje.

Rakipaj tregon dhe pak nga ajo se çfarë ajo ka dëshmuar para uniformave blu. Sipas saj, ajo ka dëgjuar të shtënat e armës teksa ndodhej në shtëpi, por i ka konsideruar si fishekzjarre. Pas rreth 2 orësh, ajo ka dalë nga banesa dhe ka parë Hoxhajn të pajetë. Ka njoftuar ndihmën e shpejtë, por 58-vjeçari kishte ndërruar jetë që në vendngjarje.

Bashkëjetuesja e të ndjerit, edhe pse nuk është në dijeni të ndonjë konflikti të mundshëm të viktimës, është larguar nga banesa ku të dy jetonin, pasi shprehet se ka frikë.

Intervista e plotë:

-Pra ju bashkëjetonit prej dy vitesh?

Rakipaj: Po, e ai punonte roje.

-Prej sa vitesh punonte i ndjeri, tek subjekti në afërsi të banesës?

Rakipaj: Ai përpara rrinte, ruante… kishte lokalin, ishin shtëpi ato më përpara. Si u prishën shtëpitë, e u bë ai pallati, edhe rrinte në shtëpi ai pastaj. Nuk shkonte më tek puna. Vetëm në mëngjes ulej ky, nga ora 06:30.

-Prej sa kohësh nuk punonte më?

Rakipaj: Vajti goxha që nuk shkonte më tek puna. Nuk rrinte roje natën.

-Një vit e gjysmë?

Rakipaj: Po, po. E nuk shkonte më. Vetëm ditën.

-Ti sot je larguar nga shtëpia dhe je strehuar tek mikesha jote. Pse je larguar nga shtëpia? Ke frikë? Ndihesh e kërcënuar?

Rakipaj: Kam frikë. Ku të vete të rri?

-A është ndjerë ndonjëherë bashkëjetuesi juaj i kërcënuar? A ka pasur ai ndonjë konflikt të mëparshëm?

Rakipaj: Jo, jo.

-Si mendoni ju, pse është shtënë me armë zjarri ndaj tij?

Rakipaj: S’e di. As vetë s’e di. S’më tregonte, që ka pasur këtë, ka pasur atë…

-Pra, ai nuk është shprehur se ndonjëherë…

Rakipaj: Jo, jo. As më ka thënë asgjë. Të më thoshte mua kam këtë e atë, s’më thoshte fare. Se ai dilte, ikte. Ai sa vinte ikte. Ka ikur e në 2 të natës.

-Pra po thua që nuk kishte një orar të rregullt që kthehej e vinte në shtëpi.

Rakipaj: Ky vinte, shkonte në punë. Dilte ndonjëherë në natë të vona, edhe… unë isha në punë. Ikja në punë unë, në orën 19:30, të darkës, edhe vija deri nga ora 03:00 të mëngjesit. E kur vija e gjeja në shtëpi. Në gjumë. Edhe ngrihej nga gjumi ky, e ikte poshtë te lokali e shkonte pinte kafen aty. Rrinte aty gjatë ditës. Pastaj ikte, lëvizte. Ku di unë nga lëvizte ai. Se unë s’do ruaja atë se nga shkonte.

-Pra, ti po thua se nuk je në dijeni të ndonjë konflikti të mëparshëm që bashkëjetuesi juaj kishte.

Rakipaj: Nuk e di.

-A është ndjerë ai ndonjëherë i kërcënuar?

Rakipaj: Për këtë nuk di ç’të thëm. Nuk më ka thënë asgjë.

-Ti personalisht jo.

Rakipaj: Jo, jo. Unë s’di asgjë për vete.

-Çfarë kërkoni sot?

Rakipaj: Unë kërkoj për veten time, ja tani, ku të rri.

-Ku jetonit ju? Në shtëpi me qira?

Rakipaj: Jo, çfarë me qira? Unë rrija me atë.

-Ku jetonit?

Rakipaj: Po me atë rrija unë. Ndonjëherë më merrte me të mira ai, ndonjëherë më përzinte, më nxirrte në rrugë. Rrija, përjashta rrugëve. Vija pastaj, rrija te kjo, 5 minuta, pastaj ikja prap. Ngjitesha lart në shtëpi. E s’më thoshte gjë.

-Sot në mëngjes ju kanë shoqëruar në polici, ju kanë marrë në pyetje. Çfarë ju pyetën?

Rakipaj: Më pyetën vetëm për këtë. Pe gjë më thanë, nuk pash gjë i thash unë. Unë s’pash gjë. Unë isha brenda i thashë. Unë e dija se ishin fishekzjarre i thashë. Mendova i thashë se ishin fishekzjarre, mendova. Nuk dola i thashë, se po vishesha. Në atë kohë, i thashë unë, po vishja rrobat, e s’mund të dal. Si do dilja unë.

-Çfarë ju thanë në polici?

Rakipaj: Më morën në pyetje, vetëm kaq. Pastaj më lëshuan, ika dola, se erdhi dhe daja i tij pastaj, nga njerëzit e vetë.

-Nga njerëzit e të ndjerit, vetëm daja ishte?

Rakipaj: Vetëm daja, edhe ai djali i dajës.

-Çfarë thonë ata të dy?

Rakipaj: Asgjë, çfarë të thoshin ata të dy. Nuk e di tha ai.

-As sipas tyre nuk ka pasur një konflikt të mëparshëm që ka çuar në këtë atentat?

Rakipaj: Jo, jo. Ata më flisnin mua, unë kam respekt për ata.

Lini një Përgjigje