TAGS-AT E JAVËS

Kronike27 Prill 2025, 19:33

"E ngarkova vetë valixhen por më pa dikush", 23-vjeçari filipinas ndryshon sërish dëshminë për vrasjen e Ilaria Sulës

Shkruar nga Pamfleti

"E ngarkova vetë valixhen por më pa dikush",

Zbardhen detaje të reja nga hetimet e vrasjes së 22-vjeçares shqiptare Ilaria Sula dhe dëshmia e autorit, ish të dashurit të saj, Mark Samson.

Sipas mediave italiane, Samson ka deklaruar sërish para hetuesve se valixhen me trupin e pajetë të Ilarias, pasi e vrau në dhomën e tij të gjumit më 26 mars, e ka nxjerrë vetë nga shtëpia dhe e ka futur po vetë në makinën e tij.

Por, ndryshe nga herët e tjera, përveç se insiston se e ka ngarkuar vetë valixhen në makinë, ai përmend edhe një dëshmitar, një person që thuhet se e ka parë teksa tërhiqte valixhen që përmbante trupin e Ilaria Sulas.

Kjo deklaratë ka ngritur pikëpyetje të reja për hetuesit, se pse, pavarësisht bujës së madhe mediatike, ky dëshmitar nuk është paraqitur ende në polici për të dëshmuar.

“E ngarkova vetë valixhen në makinë, jam i fortë, më vini në provë. Më ka parë edhe një person”, shkruan 23-vjeçari në letrën e tij nga qelia ku ndodhet i paraburgosur dhe i është dorëzuar prokurorëve të Romës nga avokatët e tij.

Hetuesit e çështjes, të udhëhequr nga prokurori i Romës Giuseppe Cascini, kanë zbuluar se Samson ka gënjyer në mënyrë të përsëritur gjatë hetimeve. Ai ka fshehur faktin që kishte dështuar në studimet e tij, që kishte dhënë vetëm një provim në arkitekturë dhe ka gënjyer për rolin e nënës së tij, e cila, sipas të dhënave të policisë, e ka ndihmuar të pastrojë gjakun pas krimit.

Gjithashtu, ai kishte tentuar të devijonte hetimet duke përdorur telefonin e viktimës për të simuluar lëvizje të rreme në Napoli dhe për të krijuar idenë se Ilaria ishte gjallë dhe kishte takuar një mik të njohur në internet.

Në deklaratat e para ndaj policisë dhe prokurorëve, Samson nuk pranoi përfshirjen e tij të plotë, ndërsa tani, i nxitur nga avokatët e tij, ka filluar të bashkëpunojë pjesërisht me drejtësinë.

23-vjeçari filipinas pretendon se nuk e ka hedhur telefonin në një pusetë, siç kishte deklaruar më parë, por se celulari ishte fshehur nën dyshek në dhomën e prindërve, aty ku e kishte vendosur nëna e tij dhe u gjet nga policia.

Lini një Përgjigje