
51-vjeçar Petrit Vuksani është vrarë me armë në shtëpinë e tij ditën e sotme në Shkodër, pranë “Varrezave Katolike” të qytetit. Dyshohet se autori i krimit është Lekë Vuksani. Ky i fundit mësohet se është i afërm i viktimës dhe jetonte me qira në banesën e viktimës Petrit Vuksani. Shkak është bërë konflikti për lekët e qirasë. Vuksani ka qenë i vetëm në banesë kur u qëllua me armë.
Ndërkohë, 51-vjeçari kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer në Shqipëri, pasi ishte në Angli (1 muaj më parë). Ai jetonte kryesisht në emigrim dhe shpesh herë kthehej në Shkodër dhe në vendlindjen e tij, në Dukagjin.
Nga dëshmitë e fqinjëve të viktimës, mësohet se ata nuk kanë dëgjuar asnjë të shtëne më armë zjarri, ndërkohë që dyshohet se mund të jetë përdorur një silenciator. Bëhet me dije se shumë pranë vendit të krimit ka të instaluara kamera sigurie.
Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohet kontroll në zonë për kapjen e autorit të dyshuar.
"Rreth orës 12:15, në lagjen “Tom Kola”, në rrethana ende të paqarta, në banesë, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. V., 51 vjeç. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe po ushtrohet kontroll në zonë për kapjen e autorit të dyshuar. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për sigurimin e çdo prove, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit", njoftoi policia.
Lini një Përgjigje